Protestuesit ngrenë tenda në Lisbonë dhe Porto kundër rritjes së kostos së banesave
Qindra protestues kanë ngritur kampe me tenda në sheshet qendrore të Lisbonës dhe Portos, në Portugali, për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të banesave dhe kostos së jetesës, raportoi transmetuesi publik RTP.
Protestuesit u vendosën në kampe të improvizuara të dielën, pas zhvillimit të tubimeve në dy qytetet kryesore.
Policia, e cila kishte shpërndarë me forcë një kamp proteste në Porto në fillim të javës, fillimisht nuk ndërhyri.
Përmes fletëpalosjeve të shpërndara gjatë protestave, demonstruesit kërkuan shfuqizimin e ligjit për reformën e qirave, të miratuar nga partitë e djathta, ndalimin e blerjes së apartamenteve nga fondet e investimeve në prona, vendosjen e një tavani për qiratë dhe rritjen e ndërtimit të banesave publike.
Ata kërkuan gjithashtu ndalimin e dëbimeve të detyruara të personave që nuk kanë një alternativë tjetër strehimi, si dhe rinovimin e apartamenteve të pabanuara në pronësi të shtetit.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Portugalisë (INE), qiratë dhe çmimet e pronave janë rritur afërsisht trefish gjatë 10 viteve të fundit.
Analizat e fundit tregojnë se një nga faktorët që ka ndikuar në këtë situatë është mungesa e rreth 300 mijë banesave.
Ndërkohë, pagat reale janë rritur me vetëm rreth 16% gjatë së njëjtës periudhë, duke thelluar vështirësitë e qytetarëve për të përballuar kostot e strehimit.
Protesta të mëdha kundër rritjes së kostos së banesave dhe dëbimeve të detyruara janë zhvilluar edhe në Spanjën fqinje që nga fundi i shtatorit.



