Instituti Pedagogjik i Kosovës dhe Drejtoria e Arsimit në Kamenicë mbajnë tryezë diskutimi për mbështetjen profesionale të shkollave
Instituti Pedagogjik i Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Kamenicë, ka mbajtur një tryezë diskutimi me temën “Bashkëpunimi ndërinstitucional për mbështetjen profesionale të shkollave gjatë vitit shkollor 2026–2027”.
Në takim morën pjesë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, drejtori i DKA-së, Selami Klaiqi, si dhe përfaqësues të IPK-së, drejtues të shkollave dhe profesionistë të arsimit. IPK-ja u përfaqësua nga Tringa Dedi – udhëheqëse e Departamentit për Mbështetje Profesionale Pedagogjike, si dhe nga Bekim Morina – shef i Divizionit për mbështetje të zbatimit të kurrikulës dhe Agim Bujari – shef i Divizionit për planifikim, zhvillim profesional dhe vlerësim të performancës.
Qëllimi i tryezës ishte identifikimi i nevojave të shkollave dhe përcaktimi i fushave prioritare për mbështetje profesionale gjatë vitit shkollor 2026–2027, me fokus në përmirësimin e mësimdhënies dhe të nxënit, zhvillimin e aftësive të nxënësve në lexim-kuptim dhe shkrim-lexim, si dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë.
Drejtori i DKA-së, Selami Klaiqi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me IPK-në për identifikimin e sfidave të shkollave dhe planifikimin e masave për përmirësim. Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, nënvizoi rëndësinë strategjike të arsimit dhe nevojën që investimet në këtë fushë të shoqërohen me rezultate të matshme dhe vlerësim të vazhdueshëm.
Gjatë tryezës, Tringa Dedi prezantoi rolin e Departamentit për Mbështetje Profesionale Pedagogjike në identifikimin e nevojave të shkollave dhe planifikimin e mbështetjes, duke theksuar edhe rëndësinë e rrjeteve profesionale për shkëmbimin e përvojave, promovimin e praktikave të mira dhe koordinimin ndërinstitucional.
Bekim Morina trajtoi strategjitë dhe metodat e mësimdhënies për zhvillimin e lexim-kuptimit dhe shkrim-leximit, ndërsa Agim Bujari u fokusua në zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë, duke u mbështetur në gjetjet e hulumtimeve dhe rekomandimet përkatëse.
Si fusha prioritare të bashkëpunimit u përcaktuan përmirësimi i praktikave mësimore, identifikimi i nevojave për zhvillim profesional, vlerësimi i brendshëm i shkollës, funksionalizimi i rrjeteve profesionale dhe përcaktimi i temave për mbështetje nga IPK-ja.
Në përfundim, u theksua nevoja për hartimin e një plani të përbashkët të aktiviteteve mbështetëse, organizimin e aktiviteteve të zhvillimit profesional dhe krijimin e mekanizmave për koordinimin dhe përcjelljen e zbatimit të tyre.
Tryeza shërbeu si bazë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Kamenicës, DKA-së, IPK-së dhe shkollave, me synim që mbështetja profesionale gjatë vitit shkollor 2026–2027 të orientohet drejt nevojave konkrete dhe përmirësimit të cilësisë së arsimit.



