Rama u kërkon drejtuesve të shkollave të mbajnë shënim çdo detaj të protestave
Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar drejtuesve të shkollave që të dokumentojnë në mënyrë sa më të detajuar zhvillimet e ditëve të fundit, në mënyrë që të shërbejnë si bazë për reflektim dhe ndërhyrje të mëtejshme, pasi situata të qetësohet.
Gjatë një paraqitjeje mëngjesin e sotëm, Rama tha se drejtuesit e institucioneve arsimore duhet të shkruajnë një ditar ku të përshkruajnë çfarë ka ndodhur dhe si janë zhvilluar ngjarjet.
Sipas tij, ky dokumentim do të ndihmojë për të krijuar një pasqyrë të plotë të situatës dhe për të kuptuar se ku duhet të ndërhyhet në sistemin arsimor.
“Përtej këtyre ditëve, kemi ndërkohë të bëjmë një reflektim, duke u mbështetur te ju, te eksperienca juaj. Tani drejtoni edhe mësuesit, edhe institucionet tuaja. Dini ta shihni arsimin parauniversitar. Kemi dakordësuar me ministren dhe me disa këshilltarë idenë që secili prej jush të shkruajë ditarin e këtyre ditëve, sa më të detajuar, çfarë ndodhi, si ndodhi”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se përmes këtij procesi synohet të krijohet një pasqyrë e plotë e ngjarjeve, e cila do të shërbejë për të analizuar problematikat dhe për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme.
Kryeministri ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e hapësirave virtuale në marrëdhëniet shoqërore të fëmijëve, duke argumentuar se ata po humbasin gradualisht aftësinë për të socializuar dhe për të zhvilluar empati.
“Për të pasur mozaikun e një historie që do na vlejë për të reflektuar sapo gjërat të qetësohen. Për të kuptuar se ku duhet të ndërhyjmë. Fëmijët po humbin pak nga pak socialen. Socializimi i tyre po ndodh në hapësirë artificiale. Është fundi i empatisë”, u shpreh Rama.



