Vlora Spanca prezanton përvojën e Kosovës për pavarësinë e institucioneve të auditimit në Paris

20 tetor 2026 | 11:04

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka marrë pjesë në takimin e liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA), të mbajtur më 15 dhe 16 tetor në Paris të Francës, ku është diskutuar për pavarësinë institucionale dhe forcimin e rolit të auditimit publik.

Takimi u organizua në kuadër të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në bashkëpunim me projektin e EUROSAI-t për Asistencë në Zhvillim (EDA), me mbështetjen e OECD/SIGMA dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë.

Sipas njoftimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), gjatë takimit u shqyrtua dhe u miratua Plani i Punës së Rrjetit për periudhën 2027-2028, i cili përfshin rritjen e ndikimit të auditimit, mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve të auditimit dhe forcimin e kapaciteteve për auditimin e projekteve të investimeve kapitale dhe reformave që lidhen me BE-në.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, shprehu gatishmërinë që ZKA-ja të kontribuojë në dy aktivitete të këtij plani: auditimin e projekteve të investimeve kapitale dhe shkëmbimin e përvojave në auditimet paralele.

Në ditën e parë të takimit, diskutimet u përqendruan në mbrojtjen e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit, duke u bazuar në gjetjet dhe rekomandimet e raportit të përbashkët të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI).

Në kuadër të panelit me temën “Mbrojtja e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit”, Spanca prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në ushtrimin e mandatit kushtetues, ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit institucional.

Ajo theksoi rëndësinë e integritetit profesional, transparencës dhe komunikimit të hapur me mediat, shoqërinë civile dhe qytetarët, si faktorë të rëndësishëm për forcimin e besimit publik.

Ndërkaq, dita e dytë iu kushtua auditimit të projekteve investuese, agjendës së reformave të Bashkimit Evropian dhe auditimit të reformave që ndërlidhen me procesin e integrimit evropian.

Takimi u drejtua nga Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, i cili aktualisht kryeson Rrjetin.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare të auditimit, përfshirë Presidentin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, Tony Murphy, si dhe përfaqësues të OECD/SIGMA dhe INTOSAI-t.

Pjesë e delegacionit të Kosovës ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe zyrtarja për komunikim me publikun, Shqipe Hetemi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Barcelona do të përballet sonte (e martë) me Paris Saint-Germainin…