“Shqipëria mbi të gjitha”, KASH mbështet studentët dhe bën thirrje për dialog
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shprehur mbështetjen e plotë për studentët në Shqipëri dhe të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore, duke kërkuar arsim cilësor, dinjitet, mirëqeverisje dhe një të ardhme më të mirë.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, më 19 tetor, KASH ka vlerësuar se protestat pasqyrojnë një krizë të thelluar të besimit ndaj institucioneve publike dhe qeverisjes, e cila, sipas këtij këshilli, mund të kapërcehet vetëm përmes transparencës, llogaridhënies dhe dialogut të sinqertë.
“Zëri i tyre duhet të dëgjohet me përgjegjësi dhe kërkesat e tyre të marrin përgjigje konkrete e të menjëhershme”, thuhet në deklaratë.
Këshilli u ka bërë thirrje protestuesve që të ruajnë karakterin paqësor të tubimeve, të distancohen nga provokimet dhe të mbrojnë pronën publike e private, duke theksuar se dëmtimi i pronës cenon interesin e qytetarëve dhe dëmton kauzën studentore.
Njëkohësisht, KASH i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe forcave të rendit të tregojnë vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm, të shmangin përdorimin e tepruar të forcës dhe të veprojnë në përputhje me ligjin, parimin e proporcionalitetit dhe të drejtat e njeriut.
“Këto protesta pasqyrojnë një krizë të thelluar besimi ndaj institucioneve publike dhe qeverisjes, e cila mund të kapërcehet vetëm përmes transparencës, llogaridhënies dhe dialogut të sinqertë”, thuhet më tej në deklaratë.
KASH i ka bërë thirrje edhe Qeverisë dhe autoriteteve përgjegjëse që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për tejkalimin e situatës përmes dialogut konstruktiv dhe masave konkrete.
Sipas Këshillit, në demokraci, interesat e vendit dhe e ardhmja e rinisë duhet të jenë mbi çdo interes politik apo të pushtetit.
Në fund, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u ka bërë thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që të nxisin vetëpërmbajtjen e autoriteteve, respektimin e së drejtës për protestë paqësore dhe mbështetjen e një zgjidhjeje demokratike e të qëndrueshme.
“Shqipëria mbi të gjitha”, përfundon deklarata e KASH-it.
Deklarata e plotë:
Shqipëria mbi të gjitha.
Tiranë, 19 tetor 2026
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e fundit dhe shpreh mbështetjen e tij të plotë për studentët dhe të drejtën kushtetuese të tyre dhe të qytetarëve për të protestuar paqësisht për arsim cilësor, dinjitet, mirëqeverisje dhe një të ardhme më të mirë në vendin e tyre. Zëri i tyre duhet të dëgjohet me përgjegjësi dhe kërkesat e tyre të marrin përgjigje konkrete e të menjëhershme.
Këto protesta pasqyrojnë një krizë të thelluar besimi ndaj institucioneve publike dhe qeverisjes, e cila mund të kapërcehet vetëm përmes transparencës, llogaridhënies dhe dialogut të sinqertë.
Forca nuk është argument. Argumenti është forcë.
KASH u bën thirrje protestuesve të ruajnë karakterin paqësor të tubimeve, të distancohen nga çdo akt provokimi dhe të mbrojnë pronën publike e private. Dëmtimi i pronës cenon drejtpërdrejt interesin e qytetarëve dhe dëmton kauzën studentore.
I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe forcave të rendit të tregojnë vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm të lartë, të shmangin çdo veprim provokues apo përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe të veprojnë në përputhje të plotë me ligjin, parimin e proporcionalitetit dhe të drejtat e njeriut, duke garantuar të drejtën për protestë paqësore, rendin dhe sigurinë e të gjithëve.
Qeveria dhe autoritetet përgjegjëse duhet të reflektojnë me përgjegjësi shtetërore dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për kapërcimin e kësaj situate përmes dialogut konstruktiv dhe masave të prekshme. Në demokraci, interesat e vendit dhe e ardhmja e rinisë qëndrojnë mbi çdo interes politik apo pushteti.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën thirrje gjithashtu partnerëve ndërkombëtarë të nxisin vetëpërmbajtjen nga ana e autoriteteve, respektimin e të drejtës për protestë paqësore dhe mbështetjen e një zgjidhjeje demokratike e të qëndrueshme.
Shqipëria mbi të gjitha.



