Shkolla për Integritet e APK-së renditet e dyta në Evropë për inovacion

20 tetor 2026 | 10:58

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka arritur një sukses në nivel evropian, pasi projekti “Shkolla për Integritet”, i zbatuar në bashkëpunim me Democracy Plus, është renditur në vendin e dytë ndër projektet më inovative në Evropë.

Sipas APK-së, ky vlerësim u bë gjatë Konferencës së 25-të Vjetore Profesionale dhe Asamblesë së Përgjithshme të EPAC/EACN, e mbajtur nga 5 deri më 7 tetor 2026 në Budva të Malit të Zi.

Në këtë konferencë morën pjesë drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, dhe udhëheqësi i Divizionit për Sinjalizim, Milot Shala.

Shkolla për Integritet u përzgjodh ndër pesë projektet më inovative, në mesin e 114 institucioneve të parandalimit të korrupsionit dhe mbikëqyrjes së policisë në Evropë. Pas votimit nga institucionet pjesëmarrëse, projekti u rendit në vendin e dytë.

Kjo nismë synon fuqizimin e të rinjve dhe ndërtimin e një kulture të integritetit në shoqëri.

Gjatë takimit u votua edhe Deklarata e Budvës, e cila shpreh shqetësimin për tendencat e kufizimit të pavarësisë së institucioneve për parandalimin e korrupsionit në disa vende.

Deklarata rikonfirmon angazhimin e përbashkët për garantimin e pavarësisë institucionale, mbrojtjen e sinjalizuesve dhe përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
“Osman Mehmeti” B.I. me emër tregtar Avokat Osman Mehmeti, shpall…