Liverpooli e mendon rikthimin e Alexander-Arnoldit, aventura e tij te Reali po shkon drejt dështimit

20 tetor 2026 | 11:44

Trent Alexander-Arnold mund të rikthehet në Liverpool, vetëm një vit pas largimit nga klubi anglez, pasi nuk po arrin ta gjejë hapësirën e pritur te Real Madridi.

Një rikthim që deri vonë dukej i pamundur, tashmë po përmendet si një mundësi konkrete.

Sipas TEAMtalk, mbrojtësi anglez ka filluar të shqyrtojë të ardhmen e tij në Madrid, për shkak të minutave të pakta në dispozicion, përcjell “Gazeta Express”.

Alexander-Arnold është i kënaqur me jetën në kryeqytetin spanjoll, por mungesa e vazhdimësisë në fushë po bëhet problem serioz.

Rasti i fundit ishte ndeshja kundër Sevillas, kur trajneri José Mourinho preferoi ta aktivizonte Federico Valverden në pozitën e mbrojtësit të djathtë, duke e lënë sërish anglezin në bankën rezervë.

Vetëm tri ndeshje si titullar këtë sezon

Ish-futbollisti i Liverpoolit u transferua te Real Madridi në verën e vitit 2025, me pritshmëri të mëdha, por deri më tani nuk ka arritur të sigurojë një vend të qëndrueshëm në formacionin startues.

Sezonin e kaluar, Alexander-Arnold regjistroi vetëm 14 paraqitje si titullar, ndërsa në edicionin aktual ka nisur nga minuta e parë vetëm tri ndeshje.

Kjo situatë ka shtuar dyshimet për të ardhmen e tij në “Santiago Bernabeu”, veçanërisht pasi konkurrenca për pozitën e mbrojtësit të djathtë mbetet e fortë.

Liverpooli, gati për ta rikthyer simbolin e vet?

Liverpooli po e përcjell me vëmendje situatën e ish-futbollistit të tij, i cili për shumë vite ishte një prej figurave kryesore të skuadrës dhe një nga mbrojtësit më të dalluar në futbollin anglez.

“Reds” po kërkojnë mundësi për ta përforcuar krahun e djathtë të mbrojtjes dhe një rikthim i Alexander-Arnoldit do të ishte një zhvillim i bujshëm, duke pasur parasysh mënyrën se si u nda me klubin verën e vitit 2025.

Megjithatë, Liverpooli nuk është klubi i vetëm që po e monitoron situatën. Sipas raportimeve, interesim për anglezin kanë shfaqur edhe Arsenali, Chelsea, Manchester City dhe Bayern Munichu.

Real Madridi nuk ka ndërmend ta shtyjë lojtarin drejt largimit, por mund ta shqyrtojë një ofertë të përshtatshme. Pengesa kryesore për një transferim të mundshëm mbetet paga e lartë që Alexander-Arnold përfiton në kryeqytetin spanjoll.

Për momentin, nuk ka marrëveshje për një rikthim në Anfield, por minutat e pakta te Reali mund ta bëjnë këtë mundësi gjithnjë e më tërheqëse për të dyja palët.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami i ka…