Ministri francez zbulon nëse tensionet në Francë do ta shtyjnë ndeshjen mes PSG-së dhe Barcelonës

19 tetor 2026 | 19:48

Ndeshja mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve do të zhvillohet sipas planit të paraparë, pavarësisht trazirave dhe përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në Francë.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, duke përjashtuar mundësinë e shtyrjes së takimit.

Një përfaqësues i sindikatës së policisë kishte kërkuar shtyrjen e ndeshjes për shkak të situatës së tensionuar dhe trazirave sociale në vend. Megjithatë, Nunez ka bërë të qartë se nuk ka arsye për të ndryshuar kalendarin e garës evropiane.

“ Shtyrja e ndeshjes mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës nuk është në shqyrtim. Edhe ndeshjet e tjera që mund të zhvillohen në kuadër të Ligës së Kampionëve nuk janë në rrezik”, ka deklaruar Nunez.

Përballja që do të zhvillohet në stadiumin “Parc des Princes” i takon xhiros së tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Të dyja skuadrat e kanë nisur mirë garën, duke regjistruar nga dy fitore në dy ndeshjet e para.

PSG-ja triumfoi ndaj Manchester Cityt, ndërsa Barcelona mori fitore kundër Galatasarayt dhe Feyenoordit, duke konfirmuar ambiciet për të vazhduar me rezultate pozitive në garën më prestigjioze evropiane për klube.

Megjithatë, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, përballet me disa probleme në repartin defensiv.

Jules Kounde dhe Eric Garcia janë jashtë për këtë takim, ndërsa Gerard Martin po menaxhon një shqetësim fizik të pësuar në ndeshjen kundër Real Betisit.

Përveç rëndësisë së duelit ndaj kampionit në fuqi të Evropës, Flick duhet të marrë parasysh edhe përballjen e fundjavës së ardhshme ndaj Real Madridit në “El Clasico”, çka mund të ndikojë në menaxhimin e minutave dhe gjendjes fizike të lojtarëve.

Në anën tjetër, PSG-ja do të jetë pa mbrojtësin Nuno Mendes. Konfirmimi i ministrit të Brendshëm francez e ka larguar, të paktën për momentin, mundësinë e shtyrjes së ndeshjes, duke bërë që përgatitjet për këtë përballje të vazhdojnë sipas planit. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Labinot Krasniqi shpall të pavlefshme deftesen e shkolles se mesme…