Kosova fiton dy medalje në Kupën Botërore WAKO në Uzbekistan
Kosova ka fituar dy medalje në Kupën Botërore WAKO në kickbox, e cila u mbajt nga 13 deri më 18 tetor 2026 në Tashkent të Uzbekistanit.
Sipas njoftimit të Federatës së Kickboxit të Kosovës, garuesit kosovarë arritën të sigurojnë një medalje të argjendtë dhe një të bronztë.
Nart Kastrati, në kategorinë deri në 81 kilogramë, fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Art Dulaj, në kategorinë deri në 67 kilogramë, u stolis me medaljen e bronztë.
Delegacioni i Kosovës në këtë garë ndërkombëtare u udhëhoq nga presidenti i Federatës së Kickboxit të Kosovës, Fatmir Makolli.
Kjo ishte pjesëmarrja e dytë e Kosovës në këtë ngjarje sportive në Uzbekistan, ndërsa dy medaljet e fituara përbëjnë një tjetër sukses për kickboxin kosovar në arenën ndërkombëtare.
Federata e Kickboxit e Kosovës ka shprehur krenarinë për rezultatet e garuesve dhe përfaqësimin e tyre dinjitoz të vendit.



