Çitaku: Trendafilova të dalë përballë gazetarëve dhe të japë llogari për drejtimin e Speciales

20 tetor 2026 | 12:08

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, duke kërkuar prej saj llogaridhënie dhe përgjigje konkrete për shqetësimet lidhur me punën e kësaj gjykate.

Në një postim në ‘Facebook’, Çitaku ka thënë se një video-adresim pa pyetje nuk i mbulon, sipas saj, padrejtësitë e gjykatës dhe as nuk e shkarkon Trendafilovën nga përgjegjësia.

Ajo ka ngritur shqetësime për transparencën, barazinë e palëve, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbikëqyrjen e pavarur të procesit gjyqësor.

“Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie. As titujt, as betimet dhe as videot nuk e zëvendësojnë profesionalizmin dhe drejtësinë që duhet të dëshmoni në vendimet tuaja”, ka shkruar Çitaku.

Ajo i ka bërë thirrje Trendafilovës që të dalë përballë gazetarëve, t’u përgjigjet pyetjeve të vështira dhe të japë llogari për mënyrën se si e ka drejtuar gjykatën.
“Kritikat nuk mund t’i zhvlerësoni me etiketën e ‘dezinformimit’, ndërsa vetes t’i rezervoni të drejtën për të folur pa u sfiduar”, ka theksuar ajo.

Çitaku ka thënë se Kosova do ta mbështesë mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e apelit dhe do ta kundërshtojë çdo padrejtësi përmes mjeteve ligjore dhe institucionale.

“Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët! Sepse padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë”, ka përfunduar Çitaku.

Reagimi i saj i plotë:

Znj. Trendafilova, pas vitesh heshtjeje ndaj shqetësimeve tona, një video-adresim pa pyetje nuk i mbulon padrejtësitë e kësaj gjykate dhe as ju shkarkon nga përgjegjësia.

Nën drejtimin tuaj, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi. Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete. Ju na ofroni deklarata vetëlavdëruese.

Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie. As titujt, as betimet dhe as videot nuk e zëvendësojnë profesionalizmin dhe drejtësinë që duhet të dëshmoni në vendimet tuaja.

Përgjegjësia është edhe personalisht juaja, znj. Trendafilova. Dilni përballë gazetarëve, mos u fshihni siç keni bërë qe dy vite. Përgjigjuni pyetjeve të vështira. Jepni llogari për mënyrën se si e keni drejtuar këtë gjykatë. Kritikat nuk mund t’i zhvlerësoni me etiketën e “dezinformimit”, ndërsa vetes t’i rezervoni të drejtën për të folur pa u sfiduar.

Kosova nuk do të heshtë dhe as do të ndalet. Do ta mbështesim mbrojtjen e çlirimtarëve në apel dhe do ta kundërshtojmë çdo padrejtësi me të gjitha mjetet ligjore e institucionale.

Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët! Sepse padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë. Kur shkelen të drejtat dhe pushteti gjyqësor ushtrohet pa llogaridhënie, kemi të bëjmë me një krim kundër vetë drejtësisë. Dhe këtë nuk do ta pranojmë, nuk do ta heshtim dhe nuk do ta lëmë pa e sfiduar!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Trent Alexander-Arnold mund të rikthehet në Liverpool, vetëm një vit…