Aktakuzë ndaj 12 personave për krim të organizuar, shmangie nga tatimi dhe pastrim të parave

20 tetor 2026 | 12:41

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 12 personave për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shmangia nga tatimi”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Falsifikimi i parasë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shpëlarja e parave”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F.M., F.M., K.V., F.V., S.K., N.B., D.M., A.M., M.M., N.M., G.Q. dhe S.M. kanë vepruar në bashkëpunim gjatë periudhës nga janari i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2025, përmes një skeme mashtrimi që përfshinte importimin e derivateve të naftës, përdorimin e autoboteve të modifikuara, faturimin e transaksioneve të dyshuara fiktive, si dhe deklarimin e pasaktë të qarkullimit dhe të detyrimeve tatimore, duke i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 4,637,893.69 eurosh.

Sipas aktakuzës, F.M dhe F.M, ku i pandehuri F.M është kujdesur për krijimin e një rrjeti bashkëpunëtorësh brenda territorit të Kosovës dhe me shtetas shqiptarë, duke blerë derivatet e naftës nga “G.O.G.” SH.A, në Shqipëri, me qëllim importimin e tyre në Kosovë, ku gjatë rrugës drejt Kosovës, mjetet transportuese, në shumicën e rasteve, dyshohet se janë zëvendësuar me mjete të tjera të modifikuara, të cilat mbusheshin me ujë deri në 90 për qind të kapacitetit të tyre. Pjesa e derivateve të naftës, ndërkohë, mbetej për t’u shitur në territorin e Shqipërisë.

Të pandehurit F.K dhe K. V., sipas aktakuzës, kanë bashkëpunuar në skemën e importimit dhe deklarimit të derivateve të naftës, përfshirë deklarimin e sasive të ujit si naftë dhe lëshimin e faturave për mallra që pretendohet se nuk kanë ekzistuar dhe shmangies nga tatimi përmes bizneseve “E. P.” SH.P.K. dhe “K. O.” SH.P.K.

Ndërkaq, S. K. dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë përmes biznesit “E. P.” SH.P.K., duke siguruar, lëshuar dhe pranuar fatura të dyshuara fiktive për blerjen dhe shitjen e derivateve të naftës, me qëllim të zvogëlimit të detyrimeve tatimore.

Sipas aktakuzës, N. B. dyshohet se, përmes biznesit “S.” SH.P.K., ka siguruar dhe lëshuar fatura për transaksione të dyshuara fiktive, si dhe ka deklaruar blerje të derivateve të naftës që pretendohet se nuk kanë ekzistuar.

D. M., sipas aktakuzës, dyshohet se ka bashkëpunuar në skemën e importimit dhe tregtimit të derivateve të naftës përmes bizneseve “V. P.” SH.P.K. dhe “VEDV. G.” SH.P.K. Të pandehurit, pas shkarkimit të derivateve të naftës, mjetet transportuese i dyshohet se i kanë mbushuar me ujë dhe i kanë shkarkaur në lokacione të ndryshme në Kosovë.

Sipas aktakuzës, A. M. ka bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë përmes biznesit “C. O.” SH.P.K., duke siguruar ose pranuar fatura të dyshuara fiktive për shitblerjen e derivateve të naftës.

S. M. dyshohet se ka mbajtur në emër të tij pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat, sipas Prokurorisë, janë përdorur ose financuar nga persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.

M. M., sipas aktakuzës, dyshohet se ka pasur rol në organizimin dhe mbikëqyrjen e transportimit të derivateve të naftës, përfshirë dërgimin e autoboteve për modifikim në një punëtori në Han të Elezit.

N. M. dyshohet se ka marrë pjesë në transportimin e këtyre ngarkesave drejt pikës kufitare të Vërmicës, me qëllim të shmangies së kontrolleve doganore dhe përfitimit material.

Ndërkaq, G. Q. akuzohet se ka kryer modifikime teknike në autobote, duke ndërhyrë në ndarjet e brendshme, tubacionet dhe kolektorët, si dhe duke mbyllur ose ndryshuar disa nga daljet origjinale.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Investimet në infrastrukturën sportive dhe përgatitjet për organizimin e Lojërave…