Deçani e nderon John Paul Mulhallin me titullin “Qytetar Nderi”
Kuvendi Komunal i Deçanit ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Deçanit” John Paul Mulhallin, i njohur si Poli, për kontributin e tij në Kosovë gjatë luftës dhe në vitet e rindërtimit të vendit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në “facebook”, duke vlerësuar rolin e Mulhallit në mbështetjen e popullit të Kosovës gjatë periudhës së luftës dhe në rindërtimin e vendit.
Sipas Ramosajt, Mulhall ishte ndër miqtë ndërkombëtarë që qëndruan pranë Kosovës në ditët më të vështira, ndërsa kontributi i tij në mbështetjen e institucioneve dhe në realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët e Deçanit mbetet pjesë e kujtesës dhe mirënjohjes së tyre.
“Deçani nuk i harron miqtë që i qëndruan pranë kur kishte më së shumti nevojë. Ky titull është shprehje e respektit tonë për një njeri që dëshmoi se miqësia e vërtetë nuk matet vetëm me fjalë, por me vepra”, ka shkruar Ramosaj.
Ai ka shprehur mirënjohje për Mulhallin, duke theksuar se Deçani e konsideron atë mik të vetin, si dhe duke vlerësuar miqësinë ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij të Kanadasë.



