“Kush tha se prokurorët s’kanë mundur të hetojnë pa leje?” – Avokati Berisha zbërthen njoftimin e Prokurorisë Speciale: U plasua si reformë një procedurë administrative
A u janë “liruar duart” prokurorëve të Prokurorisë Speciale, apo një ndryshim i thjeshtë administrativ po paraqitet si reformë e madhe në luftën kundër krimit? Avokati Besnik R. Berisha ka reaguar ndaj interpretimeve që pasuan komunikatën e fundit të këtij institucioni, duke sqaruar se marrja e numrit të lëndës përmes kryeprokurorit nuk ka qenë asnjëherë e barabartë me kërkimin e lejes për të nisur hetime.
Berisha ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si është paraqitur ndryshimi, duke theksuar se prokurorët nuk kanë fituar tani një kompetencë që më parë u mungonte.
“Numri i lëndës nuk është leje për të hetuar!”, ka theksuar ai, duke shtuar se autonomia e prokurorit buron nga ligji dhe jo nga procedura e regjistrimit të një rasti.
Sipas Berishës, praktika administrative që zbatohej që nga viti 2018 parashihte që prokurorët ta kërkonin numrin e lëndës përmes kryeprokurorit, por kjo nuk nënkuptonte se duhej të merrnin pëlqimin e tij për fillimin e hetimeve.
“Kërkonin numër për regjistrimin e lëndës, jo leje për të hetuar”, ka sqaruar Berisha.
Ai ka theksuar gjithashtu se nuk ka njohuri për ndonjë rast, gjatë kësaj periudhe, kur një prokurori t’i jetë refuzuar dhënia e numrit të lëndës.
Duke komentuar ndryshimin e paralajmëruar nga Prokuroria Speciale, Berisha ka shpjeguar se numri i lëndës tash e tutje do të merret drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrit, çka, sipas tij, përbën shkurtim të një procedure administrative dhe jo ndryshim të kompetencave ligjore të prokurorëve.
“Tani, sipas njoftimit, numri do të merret drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrit. Pra, shkurtohet një rrugë administrative. Kaq!”, ka shkruar ai.
Berisha ka vlerësuar se çdo lehtësim procedural është i mirëseardhur, por ka paralajmëruar se një ndryshim i tillë nuk duhet të paraqitet si çlirim i prokurorëve nga një pengesë ligjore që, sipas tij, nuk ka ekzistuar.
“Autonomia e prokurorit nuk fillon te sporteli ku merret numri i lëndës. Ajo buron nga ligji”, ka theksuar Berisha.
Sipas tij, thjeshtimi i procedurave administrative nuk duhet ngatërruar me reforma thelbësore në luftën kundër krimit.
Në fund, Berisha ka theksuar se suksesi i institucioneve të ndjekjes penale duhet të vlerësohet nga cilësia e hetimeve, provat e siguruara dhe rezultatet në gjykatë, e jo nga mënyra e regjistrimit të lëndëve.
“Krimi nuk luftohet me numra lëndësh. Luftohet me hetime të guximshme, të ligjshme dhe profesionale”, ka përfunduar Berisha.



