Ekstradohet nga Kosova drejt Suedisë një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar
Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin drejt Mbretërisë së Suedisë të një shtetasi suedez, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për përfshirje në vepra të rënda penale që lidhen me narkotikët.
Sipas njoftimit të Policisë, ekstradimi është realizuar më 21 tetor 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera relevante policore dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari kërkohej nga institucionet e drejtësisë suedeze, ndërsa procedura e ekstradimit është mundësuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Mbretërisë së Suedisë.
Policia e Kosovës ka bërë me dije se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit, si dhe të identifikimit dhe arrestimit të personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.



