Agim Ademi viziton Albian Hajdarin pas operimit

22 tetor 2026 | 15:37

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe do të qëndrojë jashtë fushës për një periudhë.

Hajdari është operuar në meniskun e gjurit të majtë, si dhe ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në shputën e këmbës së djathtë, për shkak të lëndimit.

Mbrojtësin e ka vizituar edhe kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili, përmes një postimi në rrjetet sociale, i ka uruar shërim dhe rikthim sa më të shpejtë në fushë.

“Albianit i uroj rehabilitim sa më të lehtë e të suksesshëm dhe rikthim sa më të shpejtë e më të fortë në fushën e blertë!”, ka shkruar Ademi.

Hajdari ka pësuar dy lëndime gjatë javëve të fundit, fillimisht gjatë grumbullimit me Kosovën për ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe më pas te skuadra gjermane Hoffenheim.

Në sezonin aktual, 23-vjeçari ka regjistruar gjashtë paraqitje me ekipin gjerman, ndërsa pritet të mos jetë i gatshëm për lojë deri në mesin e muajit të ardhshëm. Për këtë arsye, ai do t’i humbë ndeshjet e nëntorit me Kombëtaren e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Më 24 tetor, në Winterthur të Zvicrës do të mbahet…