Ballkani dhe Evropa përballë krizave të pushtetit dhe rivaliteteve gjeopolitike
Shkruan: Hisen Berisha
Ashtu si putinizmi në Rusi dhe sistemi i Viktor Orbanit në Hungari, edhe liderët kryesorë të Ballkanit kanë ndërtuar sisteme të konsoliduara pushteti, në të cilat përplasjet me kundërshtarët politikë dhe raportet me fuqitë e jashtme përbëjnë elemente të rëndësishme të strategjive të tyre politike.
Në këtë kontekst, vlerësoj se zhvillimet në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë dhe impakti në vende tjera rreth Ballkanit si Kroacia, nuk duhen analizuar të izoluara nga njëra-tjetra, as të shkëputura nga dinamika më e gjerë rajonale.
Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet ndikimeve të jashtme, interesave ekonomike dhe rivaliteteve gjeopolitike, pa e ngatërruar këtë qasje analitike me mohimin e së drejtës së qytetarëve për të protestuar.
Në një këndvështrim më të gjerë global, krizat e qeverisjes, politikat e migracionit dhe polarizimi shoqëror në Evropë e më gjerë po krijojnë terren për tensione të reja dhe për instrumentalizimin politik të pakënaqësive qytetare.
Sot, siç edhe kishte paralajmëruar Presidenti Trump, emigracioni mbetet një nga sfidat që ushqen polarizimin politik dhe vë në sprovë ekuilibrat shoqërorë në Evropë.
Edhe zhvillimet e pritshme në vendet e Ballkanit të cilat s’mund të jenë imune, meritojnë vëmendje, ta zëmë Zagrebi si promotor rajonal i demokracisë dhe botës së lirë, mund të shndërrohet në një tjetër pikë tensioni në klimën e polarizuar politike evropiane.
Këto zhvillime duhen vëzhguar në kontekstin e tensioneve më të gjera që po përfshijnë kontinentin, ku migracioni, apo dislokimi i komuniteteve që nuk kanë asnjë lidhje emocionale as me vlerat e vendeve ku dislokohen, pastaj, vështirësitë e integrimit, polarizimi ideologjik dhe pakënaqësia ndaj politikave qeveritare, po shfrytëzohen për mobilizime politike me pasoja të paparashikueshme.
Megjithatë, çdo zhvillim duhet vlerësuar mbi bazën e shkaqeve konkrete dhe fakteve të verifikueshme. Është thelbësore të dallohet ekstremizmi i dhunshëm nga komunitetet fetare në tërësi, si dhe nga protestat paqësore.
Këto të fundit mund të shfrytëzohen nga aktorë politikë ose ideologjikë për të thelluar ndarjet shoqërore dhe për të sfiduar stabilitetin institucional, por kjo mundësi nuk përbën arsye për të delegjitimuar protestën qytetare.
Po ashtu, rastet e gjuhës së urrejtjes dhe të mbështetjes për organizata terroriste të shpallura nga Kombet e Bashkuara kërkojnë vëmendje dhe trajtim institucional, pa u barazuar me protestat paqësore apo me shprehjet e solidaritetit humanitar.
Demokracia nuk mund të shërbejë si mbulesë për interesa të fshehta, por as çdo protestë nuk mund të etiketohet automatikisht si pjesë e një skenari konspirativ e komploti. Duhet identifikuar vija ndarëse ndërmjet qasjes kritike dhe manipulimit politik.
Grumbullimi i pakënaqësive sociale, korrupsioni, mungesa e perspektivës dhe degradimi i zhvillimit në fusha të ndryshme të jetës shoqërore përbëjnë shkaqe të mjaftueshme për shpërthimin e krizave dhe të konflikteve politike. Ato mund të shërbejnë si “casus belli”/shkak për përplasje, pa pasur nevojë që çdo mobilizim qytetar të shpjegohet përmes ndërhyrjeve të jashtme.
Pikërisht për këtë arsye, institucionet tona duhet të jenë të përgjegjshme, transparente dhe të afta të mbrojnë interesat shtetërore e kombëtare. Njëkohësisht, ato duhet të garantojnë të drejtat demokratike dhe të mos lejojnë që shtetet tona të shndërrohen në instrumente të rivaliteteve dhe betejave gjeopolitike që nuk u shërbejnë qytetarëve dhe interesit publik.
Shtetet tona nuk duhet të shndërrohen në instrumente të rivaliteteve gjeopolitike, por as të përdorin argumentin e stabilitetit për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.
Stabiliteti i qëndrueshëm nuk ndërtohet duke heshtur pakënaqësitë, por duke i trajtuar shkaqet e tyre dhe duke parandaluar shfrytëzimin e tyre për interesa që bien ndesh me interesin publik.
Stabiliteti pa demokraci është kontroll, kurse demokracia pa institucione të përgjegjshme është shtet i dobët.
Sfida është të ndërtohen institucione që u rezistojnë të dyjave, kapjes së pushtetit dhe instrumentalizimit të pakënaqësisë qytetare.



