REXHEP MALAJ, SHQIPTARI I HEKURT, FLAMURI QË NUK U PËRKUL
Udhëheqësi i çeliktë Rexhep Malaj është i atij brezi të madh shqiptarësh që fatin e vet e lidhën pazgjidhshmërisht dhe përgjithmonë me fatin e popullit, Atdheut dhe Kombit!
Udhëheqësi Rexhep Malaj, jetoi, veproi dhe u angazhua me bindjen se pushtimi jugo-serb dhe robëria shekullore serbe nuk ishin fati që duhej pranuar kokulur, por zgjedha që duhej thyer dhe shpartalluar njëherë e përgjithmonë!
Udhëheqësi Rexhep Malaj ishte mendje e vrullshme organizatore, ishte vullnet i hekurt dhe ndërgjegje e zgjuar e popullit shqiptar të Kosovës dhe Viseve shqiptare nën ish-Jugosllavi, që kërkonte lirinë dhe çlirimin nga thundra pushtuese serbe!
Trajektorja e veprimtarisë heroike atdhetare të Udhëheqësit Rexhep Malaj kishte nisur qysh nga Oda e Kullës së Tij të lashtë shqiptare, pastaj nga bankat e shkollës te veprimtaria ilegale, nga qelitë e burgjeve te përballja me armë në dorë e deri te rënia heroike titanike!
Kudo e në çdo rrethanë Ai ndoqi të njëjtën rrugë, organizimin shumëdimensional, qëndresën e pathyeshme dhe luftën titanike për çlirimin e Kosovës e të Viseve shqiptare nën ish-Jugosllavi!
I përjashtuar nga shkolla, përndjekjet, arrestimet dhe vitet e gjata të burgimit ia rënduan jetën, por nuk ia ndryshuan drejtimin dhe nuk ia shpartalluan kursin atdhetar e patriotik!
Sa më shumë që përpiqej aparati shtypës ta dobësonte e ta thyente, aq më fort Ai lidhej me idealin e lirisë dhe me shokët besnikë e të pathyeshëm!
Për Udhëheqësin Rexhep Malaj, besnikëria ndaj shokëve të çështjes kombëtare dhe mosdhënia e emrave të tyre ishin përgjegjësi të një rëndësie të veçantë përpara gjithë lëvizjes së luftës për liri!
Në hetuesi e në burgje, mbi trupin e Tij u ushtruan dhuna dhe terrori më çnjerëzor!
Sipas rrëfimeve të Tij në librin me kujtime nga burgu, sy më sy me bandën titiste, i paarmatosur, por fitimtar me drejtësinë në zemër, si dhe sipas dëshmive të bashkëvuajtësve, Ai përballoi tortura të rënda, izolim, uri e poshtërime të tmerrshme!
Por pushteti që kishte në dorë zinxhirët e vdekjes së gjallë nuk arriti t’ia nënshtronte ndërgjegjen e famshme kryengritëse!
Udhëheqësi Rexhep Malaj është i njohur për faktin e madh historik se nuk i dorëzoi shokët!
Nuk e zbuloi teknikën e shtypit ilegal!
Nuk e ndërroi idealin me shpëtimin e vet!
Në trupin e Tij të gjakosur mbrohej një botë e tërë!
Te trupi i Tij i çeliktë mishëroheshin besimi mes bashkëveprimtarëve, vazhdimësia e organizimit dhe shpresa e një populli të tërë të robëruar nga pushtimi jugosllavo-serb!
Fjala e Tij e pathënë përpara torturuesve ruante jetë, kurse fjala e shtypur ilegalisht dhe e shpërndarë në qytete të ndryshme në Kosovë e Vise hapte rrugë nëpër errësirën e robërisë shekullore nën pushtimin serb!
Kështu u bë çeliku i qëndresës shqiptare, duke mbajtur mbi vete dhembjen, që goditja të mos mbërrinte te shokët dhe te lufta!
Që të mos ndërpritej zinxhiri i veprimtarisë atdhetare kombëtare shqiptare!
Udhëheqësi Rexhep Malaj e kuptonte peshën e organizimit dhe domosdoshmërinë e përgatitjes së luftës së armatosur çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe Viseve nën ish-Jugosllavi!
Angazhimi i Tij historik për themelimin e Partisë së Luftës së Kosovës dhe për organizimin e luftës së armatosur ishte shprehje e thellë e bindjes së madhe se populli shqiptar duhej të përgatitej urgjentisht për ta marrë në duart e veta fatin e luftës për liri, çlirim e pavarësi të Kosovës nga ish-Jugosllavia, përkatësisht nga Serbia pushtuese!
Në përballjen e fundit, në Kodrën e Trimave, në janarin e vitit 1984, Udhëheqësi i madh dhe Heroi i Kombit Rexhep Malaj, bashkë me Heroin e Kombit Nuhi Berisha, qëndruan duke shkruar faqe të lavdishme me armë në duar përballë forcave pushtuese jugosllavo-serbe dhe tradhtarëve!
Në Epopenë e Kodrës së Trimave, në atë epope legjendare, jeta dhe fjala e Tyre u bënë të pandashme, u bënë një dhe mbetën jehonë e fuqishme! Udhëheqësi, Heroi i Kombit Rexhep Malaj, e dha mesazhin historik se tani e tutje s’ka dorëzim, s’ka më burgje, s’ka qeli për udhëheqësit dhe drejtuesit e mëdhenj!
Kjo ishte kambanë alarmi për çdo të organizuar, ishte vija e kuqe për çdo organizatë ilegale politike, patriotike e atdhetare!
Udhëheqësi Rexhep Malaj ra duke mbrojtur atë për të cilën kishte jetuar në veprimtarinë e Tij revolucionare, duke u lënë brezave shembullin se burgjet nuk do të mund të mbusheshin më me të burgosur dhe betimin që nuk mund të vritej!
Në Epopenë e Kodrës së Diellit, Heroi i Kombit Afrim Zhitia dhe Heroi i Kombit Fahri Fazliu e zbatuan në praktikë formulën e famshme të mosdorëzimit edhe në kushte krejtësisht të pabarabarta, kurse në Epopenë Legjendare të Jasharajve në Prekaz, me në ballë Komandantin Legjendar të UÇK-së Adem Jashari, kjo formulë u mishërua plotësisht dhe u bë rruga e vetme e realizimit të lirisë, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës nga Serbia pushtuese!
Pas luftës dhe rënies heroike të Komandantit të Partisë së Luftës së Kosovës, Heroit të Kombit Rexhep Malaj, brezave të ardhshëm iu dorëzua flamuri me formulën e famshme të mosdorëzimit dhe, nga njëri te tjetri, u bart dorë më dorë flamuri i mbijetesës, derisa lufta çlirimtare e solli ditën e shumëpritur të lirisë, çlirimit e largimit të Serbisë nga Kosova!
Simbolikisht, ishte fitore biblike vendosja e Komandës së Shtabit të Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së në Shtëpinë heroinë të Heroit të Kombit Rexhep Malaj pas çlirimit dhe kishte kuptimin e një kthimi historik, Ushtria Çlirimtare e Kosovës hynte në Vatrën ku ishte ushqyer palca kurrizore e idealit të saj!
Pllaka e UÇK-së, e vendosur në Shtëpinë e çelikut shqiptar, dëshmon këtë lidhje mes përpjekjes ilegale dhe luftës së armatosur për liri!
Udhëheqësi Rexhep Malaj meriton të njihet nga brezat për mendimin, për organizimin, për besnikërinë dhe për sakrificën e Tij!
Dëshmitë e qëndresës së Tij duhen ruajtur, duhen studiuar e duhen përcjellë me përgjegjësi nga brezi në brez!
Në Atdheun e lirë e të pavarur, në Kosovën heroike, liria e sotme merr kuptimin e plotë kur e dimë çmimin me të cilin është fituar, sa shumë është luftuar e sa shumë gjak është derdhur!
Udhëheqësi Rexhep Malaj ia dha Atdheut rininë, ia dha shëndetin, ia dha vitet e jetës dhe, në fund, ia dha edhe gjakun!
Udhëheqësi Rexhep Malaj përballë burgut ruajti dinjitetin, përballë torturës ruajti shokët dhe përballë vdekjes ruajti betimin, të cilit i mbeti besnik sepse ishte çelik!
Prandaj kemi të drejtë ta shprehim fuqishëm se Udhëheqësi Rexhep Malaj mbetet shqiptari i hekurt, njeriu që e mbajti lirinë të papërkulur brenda vetes, derisa ajo të bëhej dhe përfundimisht u bë e ardhmja e popullit të Tij të shumëvuajtur e patriot!
Prishtinë, 23 Tetor 2026!




