Rusët sulmojnë Kievin, Zelensky: Janë shënjestruar zona civile
Një person ka humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur pas sulmeve me raketa ruse në Kiev, sipas bilancit të bërë publik deri tani nga kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko.
Goditjet prekën objekte universitare, ndërtesa banimi dhe infrastrukturë të qytetit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Ndërkohë, janë raportuar persona që mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Vitali Klitschko njoftoi se dëmtime janë konstatuar në një konvikt studentor dhe në një stacion metroje në lagjen Desnyanskyi, ndërsa në lagjen Dnipro janë prekur dy objekte mjekësore.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi përmes një postimi në platformën X se raketat balistike ruse goditën kompleksin universitar në Kiev dhe zonat përreth. Sipas tij, në mesin e vendeve të prekura janë kampusi universitar, Parku i Kiotos, hapësirat pranë një stacioni metroje dhe ndërtesat e banimit.
Zelensky theksoi se bilanci përfundimtar i viktimave ende nuk është përcaktuar, por konfirmoi se sulmi ka shkaktuar të vrarë dhe të plagosur.
Ai tha gjithashtu se dëmet janë të mëdha dhe se ekzistojnë dyshime që njerëz të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën në terren, ndërsa të gjitha shërbimet e emergjencës janë angazhuar në zonat e goditura për të gjetur të mbijetuar dhe për të shpëtuar jetë.
Presidenti ukrainas akuzoi Rusinë se kishte goditur zona me përqendrim të lartë civilësh, ku, sipas tij, nuk ndodhen objekte ushtarake.
“Raketat goditën zona me popullsi të dendur dhe nuk ka asnjë objekt ushtarak aty pranë”, deklaroi ai.
Zelensky e cilësoi ngjarjen si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kievit dhe infrastrukturës së tij.
Ai paralajmëroi se mund të ketë edhe sulme të tjera, duke theksuar se goditjet ruse me dronë Shahed vazhdojnë kundër Kievit, si edhe ndaj qyteteve dhe komuniteteve të tjera në Ukrainë.



