Ilija Srdanoviq: Vuçiqi e turpëroi Serbinë, pushteti i ri do t’i përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët
Ilija Srdanoviq, bartës i listës fituese studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ka deklaruar se Aleksandar Vuçiqi i ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet e Serbisë me shtetet fqinje dhe se pushteti i ri synon ta ndryshojë këtë politikë.
Në një deklaratë të publikuar të hënën nga portali sarajevas “Dnevni Avaz”, Srdanoviq ka thënë se 14 vjetët e qeverisjes së Vuçiqit janë arsyeja kryesore për politikën e jashtme të keqe që ka ndjekur Serbia.
“Ne nuk harrojmë çfarë ka thënë dhe në çfarë mënyre e ka turpëruar kombin tonë shumë kohë më parë. I kujtojmë edhe deklaratat e tij gjatë viteve ’90. Ajo që mund të premtojmë është se askush nga ne nuk do të thotë më kurrë gjëra të tilla”, ka deklaruar Srdanoviq, duke iu referuar mesazheve të ndryshme ksenofobe të ish-presidentit serb.
Ai ka theksuar se për këto deklarata është përgjegjës personalisht Vuçiqi dhe jo dikush tjetër.
“Kjo është turp për popullin serb, për të cilin përgjegjës është ai personalisht. Ai është krijuesi i politikës së marrëdhënieve të këqija me fqinjët, të cilën ne do ta ndërpresim”, ka thënë Srdanoviq.
Ai ka bërë të ditur se për qeverinë e re prioritet do të jenë zgjidhja e problemeve të brendshme të Serbisë, por ka paralajmëruar edhe hapjen e dialogut me Bosnjë-Hercegovinën dhe vendet e tjera të rajonit.
Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Banjallukës, Srdanoviq ka thënë se ato do të vazhdojnë të zhvillohen, por pa dëmtuar marrëdhëniet me vendet e tjera.
“Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Banjallukës do të vazhdojnë të zhvillohen, por dialogu do të hapet edhe me të gjithë partnerët e tjerë në rajon, përkatësisht me fqinjët, me të cilët duhet të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore, në kënaqësi të ndërsjellë”, ka deklaruar ai.
Kardiologu 56-vjeçar nga Novi Sadi ka përfunduar duke thënë se vendet fqinje duhet ta dinë se Serbia, nën pushtetin e ri që synon të ndërtojë një shoqëri demokratike, do të ketë një bashkëbisedues të besueshëm dhe të hapur për dialog dhe për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.



