Familja e Yamalit shpërthen pas Topit të Artë: Nëse e do futbollin, shikoje atë, Kane i ka edhe tri ditë futboll!
Vendimi për t’ia dhënë Harry Kaneit Topin e Artë për vitin 2026, duke e lënë Lamine Yamal në vendin e tretë, vazhdon të shkaktojë polemika në Spanjë.
Ndër më të zhgënjyerit është Abduli, xhaxhai i 19-vjeçarit të Barcelonës, i cili vetëm pak minuta pas ceremonisë ka folur për “Cadena SER”, duke e mbrojtur fuqishëm nipin e tij.
“Nipi im ishte fantastik, është lojtari më i mirë në botë. Të gjithë e dinë këtë. Nëse e do futbollin, shko dhe shiko Lamine Yamalin, jo Harry Kanein”, ka deklaruar ai.
Abduli ka vazhduar me një koment edhe më të ashpër për sulmuesin anglez të Bayern Munichut.
“Lamine është vetëm 19 vjeç dhe do të fitojë edhe Topa të tjerë të Artë, por Kane i ka edhe tri ditë futboll dhe ia dhurojnë çmimin”, është shprehur ai.
Sipas familjarit, Yamali e meritonte këtë vlerësim për shkak të trofeve të fituar, përfshirë La Ligën, Superkupën dhe Botërorin me Spanjën, si dhe paraqitjeve të tij individuale gjatë sezonit.
“Shënon gola që askush tjetër nuk i shënon, jep asistime dhe krijon spektakël. Do t’i fitojë pesë Topa të Artë”, ka shtuar Abduli.
Edhe mediat katalanase kanë shprehur rezerva për rezultatin. “Mundo Deportivo” i ka pranuar meritat e Kaneit, duke e cilësuar atë një sulmues të madh dhe një njeri shembullor, por ka theksuar se magjia në futboll i përket Yamalit.
Sipas gazetës, Topi i Artë vazhdon t’i vlerësojë veçanërisht statistikat dhe konkretësinë, ndërsa paparashikueshmëria dhe talenti i pastër nuk marrin gjithmonë të njëjtin vlerësim.
Kështu, renditja përfundimtare e Topit të Artë 2026 vazhdon të jetë temë diskutimi, ndërsa familja e Yamalit beson se talenti i ri i Barcelonës duhej të ishte fituesi.



