Illija Sërdanoviq: Dialogu me Kosovën dhe integrimi evropian do të vazhdojnë

27 tetor 2026 | 15:33

Lista Studentore do ta vazhdojë dialogun me Kosovën, të zhvilluar gjatë qeverisjes së mëparshme. Kjo nënkupton edhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kështu ka thënë Illija Sërdanoviq, bartësi i listës që ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

Në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” (REL), Sërdanoviq ka deklaruar se pushteti i ri do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit.

Kjo vlen për marrëveshjet politike, ndërsa kontratat me kompanitë e huaja për investime në Serbi do të respektohen “nëse janë në përputhje me sistemin juridik të Serbisë dhe aktet ndërkombëtare”.

Sërdanoviq ka theksuar gjithashtu se Serbia do ta vazhdojë procesin e integrimit evropian dhe se do të bëhet gjithçka që qytetarët të informohen për përfitimet që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Ai ka përsëritur thirrjen për shmangien e çdo forme revanshizmi në Serbi, ndërsa përgjegjësinë për gjendjen aktuale të sigurisë ia ka atribuuar qeverisë në largim, e cila vazhdon të jetë në detyrë.

Sërdanoviq ishte bartës i Listës Studentore – Studentët Fitojnë, e përzgjedhur përmes vendimeve të plenumeve të fakulteteve në Serbi. Strategjia e kësaj lëvizjeje, e cila doli nga protestat dyvjeçare kundër korrupsionit dhe në mbështetje të sundimit të ligjit, ishte organizimi pa një udhëheqës të vetëm.

Pas fitores ndaj forcave të Aleksandar Vuçiqit, të cilat kanë qeverisur Serbinë për 14 vjet, shtrohet edhe pyetja se kush do të jetë kandidati i Listës Studentore për kryeministër.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në Pejë po mbahet ceremonia e varrimit të Arlinda Zekajt,…