CNN: Cilët janë skenarët e mundshëm pas zgjedhjeve në Izrael?

28 tetor 2026 | 15:53

Zgjedhjet në Izrael nuk kanë prodhuar një fitues të qartë, edhe pse shumica e votave tashmë janë numëruar, duke hapur rrugën për javë, e ndoshta muaj, pasigurie politike. Sipas CNN-it, disa skenarë mund të përcaktojnë se kush do ta formojë qeverinë e ardhshme.

Blloku i djathtë i kryeministrit Benjamin Netanyahu e ka humbur shumicën që kishte në parlamentin në largim. Me rreth 53 ulëse të parashikuara, ai nuk arrin pragun prej 61 ulësesh të nevojshme për formimin e qeverisë në Knessetin me 120 ulëse.

Netanyahu mund të përpiqet të bindë njërën nga partitë opozitare që t’i bashkohet qeverisë së tij, por të gjitha e kanë përjashtuar bashkëpunimin me të gjatë fushatës zgjedhore. Politikanët që i janë bashkuar Netanyahut në vitet e fundit shpesh e kanë gjetur veten politikisht të dobësuar, me pak ndikim në politikat qeveritare.

Një tjetër mundësi për Netanyahun është të bindë deputetë të veçantë të opozitës që t’i bashkohen kampit të tij. Megjithatë, për të kapërcyer hendekun dhe për të siguruar shumicën, do të nevojiteshin disa largime nga radhët e opozitës.

Nga ana tjetër, opozita ka siguruar shumicën e ulëseve në parlament, por rruga e saj drejt pushtetit pengohet nga ndarjet ideologjike, kombëtare dhe personale.

Rivali kryesor i Netanyahut, Gadi Eisenkot, parashikohet të fitojë 21 ulëse, por ai nuk mund ta arrijë shumicën prej 61 deputetësh pa mbështetjen e dy partive arabe, Ra’am dhe Listës së Përbashkët, të cilave u parashikohet të fitojnë gjithsej 19 ulëse, një rezultat rekord.

Të mërkurën, Yair Golan, lideri i partisë së majtë Demokratët, u ka bërë thirrje partnerëve të tij që partitë arabe t’i konsiderojnë pjesë të bllokut. Ai ka kundërshtuar atë që e ka cilësuar si “ndarjen raciste të votave hebraike dhe arabe” nga Netanyahu.

Megjithatë, dy nga aleatët e djathtë të Eisenkotit kundërshtojnë formimin e një qeverie që përfshin partitë arabe, si dhe krijimin e një qeverie të pakicës që do të mbështetej nga jashtë prej tyre.

Duke pasur parasysh këtë bllokadë, një tjetër skenar është formimi i një qeverie të unitetit kombëtar, e cila do të bashkonte partinë Likud të Netanyahut me një ose më shumë parti opozitare.

Ky opsion do të sillte zëvendësimin e qeverisë aktuale të Netanyahut, të cilësuar si të vijës së ashpër. Si Netanyahu, ashtu edhe liderët e opozitës e kanë përjashtuar këtë mundësi gjatë fushatës zgjedhore, por ajo mund të jetë një nga të paktat rrugë për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja, sipas CNN-it.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Bashkimi Evropian (BE) ka nisur diskutimet për masa të reja…