Filmi i shkurtër “Dita e fundit e pritjes” nis rrugëtimin në festivale
Filmi i shkurtër artistik “Dita e fundit e pritjes”, me skenar dhe regji nga Albina Muçaj Osmani, do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtare të KO:SH Film Fest 2026, Festivalit të Filmit të Shkurtër që mbahet në Korçë të Shqipërisë. Filmi do të shfaqet para publikut më 30 nëntor, duke nisur kështu rrugëtimin e tij artistik.
Përmes këtij projekti, Albina Muçaj Osmani, e njohur si skenariste dhe aktore, prezantohet për herë të parë edhe në rolin e regjisores. “Dita e fundit e pritjes” është një film pa dialog, ku rolin kryesor e interpreton aktorja Nexhmije Selca.
Filmi është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës dhe është realizuar nga produksioni Uliks Film, me kontributin e një ekipi profesionistësh të fushës së kinematografisë.
Sinopsisi
E vetmuar në një shtëpi të heshtur fshati, Mona, një grua në moshë të shtyrë, jeton mes kujtimeve dhe pritjes së gjatë për fëmijët e saj. Fotografitë, mesazhet dhe një djep i vjetër e mbajnë të lidhur me një të kaluar nga e cila nuk arrin të shkëputet.
Por një ditë, ajo merr një vendim që mund të jetë një akt çlirimi, dorëzimi apo një lamtumirë e vonuar.
Përmes një rrëfimi pa fjalë, filmi sjell në ekran vetminë, pritjen dhe peshën emocionale të kujtimeve, duke e lënë shikuesin përballë një pyetjeje mbi kufirin mes shpresës dhe lamtumirës.
Ekipi realizues;
Në rol: Nexhmije Selca
Skenari dhe regjia: Albina Muçaj Osmani
Producent: Ilir Kabashi
Drejtor i fotografisë: Blerim Gjinovci
Montazhi: Zamir Qeriqi
Skenografia dhe kostumet: Dea Ahmeti
Kolorimi (Color Grading): Gazmend Nela dhe Flone Miftari
Asistent i kamerës: Kushtrim Haxha
Producent ekzekutiv: Mevlyd Osmani
Me pjesëmarrjen në konkurrencën zyrtare të KO:SH Film Fest 2026, “Dita e fundit e pritjes” shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij artistik, duke prezantuar para publikut një histori të ndërtuar mbi heshtjen, kujtesën dhe pritjen.




