KGJK-ja dhe IRZ-ja organizojnë punëtori për forcimin e mekanizmave të vetëqeverisjes dhe mbikëqyrjes së sistemit të drejtësisë

29 tetor 2026 | 11:42

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), po mban punëtori dyditore me temën “Zhvillimi dhe zbatimi i mekanizmave efektivë për vetëqeverisjen dhe mbikëqyrjen e sistemit të drejtësisë”, e cila po zhvillohet në Prishtinë.

Punëtoria ka për qëllim të kontribuojë në forcimin e pavarësisë, integritetit, profesionalizmit, transparencës dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë, përmes shqyrtimit të mekanizmave ekzistues të vetëqeverisjes gjyqësore, mbikëqyrjes dhe përgjegjësisë institucionale, si dhe identifikimit të praktikave të mira dhe mundësive për përmirësimin e tyre në Kosovë.

Në hapje të saj, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaçi dhe përfaqësuesi i Ambasadës Gjermane në Kosovë Payem Ghalendar, iu drejtuan pjesëmarrësve.

Në fjalën e tij, kryesuesi Thaçi prezantoi organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë, me theks të veçantë në rolin dhe funksionimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ai theksoi rëndësinë e forcimit të pavarësisë gjyqësore dhe të mekanizmave efektivë të vetëqeverisjes dhe mbikëqyrjes, si parakusht për një sistem gjyqësor profesional, transparent dhe llogaridhënës.

Gjatë dy ditëve të punëtorisë, përmes prezantimeve dhe diskutimeve profesionale, do të trajtohen tema që ndërlidhen me pavarësinë gjyqësore dhe kërkesat kushtetuese, emërimin, vlerësimin, promovimin dhe zhvillimin profesional të gjyqtarëve, mbikëqyrjen gjyqësore, etikën dhe integritetin profesional, si dhe parandalimin e konflikteve të interesit.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përvojave krahasuese të Gjermanisë dhe Kosovës në fushën e vetëqeverisjes dhe mbikëqyrjes gjyqësore, transparencës dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor ndaj publikut, si dhe zhvillimit të karrierës dhe menaxhimit të burimeve njerëzore në sistemin gjyqësor.

Në përfundim të punëtorisë, synohet të identifikohen dhe të hartohen rekomandime konkrete për përmirësimin e kornizës ligjore dhe nënligjore, procedurave dhe mekanizmave institucionalë të vetëqeverisjes, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies, me qëllim të forcimit të mëtejshëm të funksionimit dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Punëtoria udhëhiqet nga ekspertët gjermanë të fushës juridike, prof. dr. Michaela Wittinger, profesoreshë universitare dhe eksperte e lartë juridike si dhe dr. Thomas Dickert, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë Rajonale të Nurembergut.
Në të po marrin pjesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarë të gjykatave të niveleve të ndryshme, përfshirë Gjykatën Supreme, Gjykatën e Apelit, Gjykatën Komerciale, Gjykatën Administrative dhe gjykatat themelore, drejtorë të Sekretariatit të KGJK-së, si dhe staf tjetër i sistemit gjyqësor të Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Seanca në Gjykatën e Apelit, ku po shqyrtohen ankesat ndaj…