Rrustemi: Sulmet e Serbisë pas vendimit në Hagë duhet ta marrin përgjigjen e duhur nga Kosova

29 tetor 2026 | 11:19

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se nisja e punës së grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë dëshmon nevojën që Kosova të angazhohet për proceset që, sipas tij, rrezikojnë ta tjetërsojnë historinë e çlirimit të vendit.

Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Rrustemi ka thënë se do të marrë pjesë në këtë angazhim me bindjen se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte luftë për liri dhe se përgjegjësia penale duhet të përcaktohet mbi bazën e provave individuale.

“Ne do të jemi pjesë e këtij angazhimi me bindjen që e kemi mbrojtur vazhdimisht, UÇK-ja nuk ka nevojë për rehabilitim historik. Lufta e saj ishte luftë për liri. Drejtësia ka për detyrë t’i gjykojë individët sipas provave, pa e shndërruar historinë e çlirimit në objekt të një fajësie kolektive”, ka deklaruar Rrustemi.

Ai ka përmendur edhe përgjegjësinë e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës, duke kërkuar që veprimet e saj pas vendimit të Dhomave të Specializuara të marrin, sipas tij, përgjigjen e duhur nga institucionet e Kosovës.

“Kemi para vetes betejë komplekse, na nevojitet bashkërendim, bashkëpunim, bashkëveprim – sot më shumë se kurrë”, ka thënë ai.

Grupi punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara e ka mbajtur mbledhjen konstituive të martën.

Qeveria e Kosovës e kishte formuar këtë grup më 14 tetor, me qëllim të hartimit dhe bashkërendimit të strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së.

Më 16 shtator, në shkallën e parë, Dhomat e Specializuara i dënuan Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Filmi i shkurtër artistik “Dita e fundit e pritjes”, me…