Hoxha: Kosova duhet ta prezantojë në botë historinë e luftës çlirimtare përmes diplomacisë kulturore
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka kërkuar hartimin e një strategjie të diplomacisë kulturore, publike dhe historike, përmes së cilës Kosova do ta prezantonte më mirë në arenën ndërkombëtare historinë e luftës çlirimtare dhe rrugëtimin drejt lirisë e pavarësisë.
Gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës, Hoxha ka theksuar se, përveç mbështetjes juridike, politike dhe financiare për procesin e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, nevojitet edhe një angazhim më i gjerë diplomatik dhe kulturor.
“Kosova ka nevojë për një strategji të diplomacisë kulturore, publike dhe historike që e shpjegon luftën çlirimtare në kontekstin e saj të plotë, mbron dinjitetin e luftës për liri dhe njëkohësisht respekton drejtësinë, të drejtat e viktimave dhe pavarësinë e procesit gjyqësor”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas saj, kjo strategji nuk duhet të kufizohet vetëm në reagimet ndaj zhvillimeve gjyqësore, por duhet të shërbejë si angazhim afatgjatë për prezantimin e historisë, identitetit dhe përvojës së Kosovës para publikut ndërkombëtar.
Hoxha e ka kritikuar qasjen e deritanishme të institucioneve, të cilën e ka cilësuar kryesisht reaktive. Ajo ka thënë se, gjatë gjashtë viteve të procesit në Hagë, kanë munguar aktivitetet e mjaftueshme kulturore jashtë vendit që trajtojnë historinë e Kosovës.
Në këtë kontekst, deputetja ka ngritur shqetësimin për investimet e Serbisë në prodhime filmike dhe aktivitete diplomatike, të cilat, sipas saj, synojnë ta paraqesin në mënyrë të shtrembëruar historinë e luftës në Kosovë.
“Kosova duhet të kthejë kokën kah vetja, të mundësojë më shumë aktivitete kreative cilësore që shpalosin historinë tonë në mënyra bashkëkohore të komunikimit artistik”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera, Hoxha ka kërkuar sigurimin e materialeve fotografike nga lufta, përmes bashkëpunimit me fotografët vendorë dhe agjencitë e huaja, si dhe rritjen e fondeve për hulumtime shkencore dhe botime akademike për historinë e re të Kosovës.
Ajo ka propozuar që kjo qasje të përfshijë diplomacinë historike, kulturore, akademike, mediatike dhe qytetare, duke shfrytëzuar edhe rolin e diasporës dhe të aleatëve ndërkombëtarë.
Po ashtu, deputetja e PDK-së ka kërkuar vendosjen e atasheve kulturorë në ambasadat e Kosovës dhe hartimin e Strategjisë së Kulturës. Ajo ka kritikuar mungesën e rezultateve konkrete në këto fusha, pavarësisht marrëveshjes ndërmjet ministrive përkatëse në vitin 2020 dhe miratimit të koncept-dokumentit për artin dhe kulturën në vitin 2022.
Në fund, Hoxha ka kërkuar që Strategjia Shtetërore për Dhomat e Specializuara të plotësohet me aktivitete diplomatike dhe kulturore, të cilat do t’i ndihmonin partnerët ndërkombëtarë ta kuptonin kontekstin historik të luftës së Kosovës për liri.
“Ju ftoj që në kuadër të Strategjisë Shtetërore për Dhomat e Specializuara të zgjerohet domeni i saj me aktivitete paralele shtesë që nuk e prekin apelin drejtpërdrejt, por krijojnë kontekst për partnerët tanë ndërkombëtarë ta kuptojnë në thelb kontekstin e luftës sonë për liri”, ka përfunduar Hoxha.



