Tahiri mbron Haradinajt: Është e ulët të lidhësh emrat e tyre me tragjedinë e Arlindës
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar në Kuvendin e Kosovës lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe hetim penal, por edhe duke kritikuar përpjekjet që, sipas tij, synojnë të përfitojnë politikisht nga kjo tragjedi.
Tahiri ka thënë se vrasja e Arlindës e ka tronditur gjithë vendin dhe ka prekur secilin prind që ka vajzë dhe secilin vëlla që ka motër.
“Tragjedia e cila ndodhi para disa ditësh nga vrasja barbare, e cila e tronditi një komb, një shtet, e cila nuk po e lë rehat secilin prind që ka vajzë, secilin vëlla që ka motër, është tragjedi e cila kërkon veprim të shpejtë institucional e shtetëror, përgjegjësi, hetim penal dhe mbi të gjitha përgjegjësi nga institucionet”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka kritikuar përpjekjet e disa politikanëve për të përfituar politikisht nga rasti, duke kërkuar që hetimet të zhvillohen pa ndërhyrje dhe pa akuza që nuk mbështeten në prova.
“Përfitimi i ulët politik i cili synohet të fitohet nga një tragjedi e cila e ka goditur secilin njeri normal në këtë vend. Është e ulët që në çfarëdo rrethane, pa pasë evidencë, secili prej nesh të mundohet të përfitojë politikisht nga një tragjedi, nga një trup që ende s’ka qenë në dhe”, është shprehur ai.
Tahiri ka kritikuar edhe deklaratat e deputetëve të tjerë lidhur me figurat politike të Dukagjinit, përfshirë Ramush dhe Daut Haradinajn, duke i cilësuar si të padrejta akuzat që, sipas tij, bëhen pa prova.
“Qysh ka mundësi Taulant me dalë me lexu fjalim në foltore e me u sjellë e pështjellë rreth të fortëve të Dukagjinit, për çka që ka dalë dikush një foto? Po ju deputetë që jeni të Dukagjinit, kur të hysh në konak të Dukagjinit e dini që çka ka, shpirt ta qet në sofër, edhe do me bo foto. E mu qu me lidh e me pshtjellë një njeri e një deputet, që e dini mirë kush është Ramush e Daut Haradinaj, është e ulët”, ka thënë Tahiri.
Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratave të deputetes Arjeta Fejza lidhur me dhunën në familje dhe akuzave që, sipas tij, janë mbështetur në informacione të raportuara në media.
“Arjeta Fejzës, nuk mujsha me dëgju një grua që flet për të drejta të grave, thoshte në parlament ekziston dikush, një ish-kryeministër që akuzohet për dhunë në familje, që ka thanë kam dëgju në media. A e dini çka shoh në media, për Sveçlën që ka nejt me një vrasës, tash me akuzu Sveçlën, e që kam pa Kurtin me Naim Murselin, që s’di a është e vërtetë, a fake a çka”, ka deklaruar ai.
Deputeti ka kërkuar që rasti të mos përdoret për akuza politike dhe që përgjegjësia të përcaktohet përmes hetimeve.
“Mos bëni kështu se po bëni dëm, e kuptoj që doni me shty përpara. Nuk mundeni, sepse Dukagjini e njeh kush është Ramush e Daut Haradinaj, sikur që e dinë që ka njerëz të pafytyrë. Lenja hetimit, mos e helmoni, nëse ka dikush dhimbje për Arlindën kemi ne. Shikoni kush ka qenë rreth varrit të saj”, ka përfunduar Tahiri.
Ai ka theksuar se rasti kërkon veprime konkrete nga institucionet dhe përgjegjësi përmes procedurave hetimore, duke kundërshtuar përdorimin e tragjedisë për përplasje politike.



