Ngjarja në Vitomiricë, Musliu në Kuvend: Pse nuk kërkohet llogari kur një grua humb jetën?
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka ngritur në Kuvendin e Kosovës çështjen e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë, duke e cilësuar rastin si dëshmi të dështimit të sistemit për mbrojtjen e grave.
Musliu ka kërkuar që drejtori i Policisë së Kosovës të ftohet në një komision parlamentar për të raportuar lidhur me rastin. Sipas saj, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër kësaj kërkese.
“Vrasja e Arlindës nuk është thjesht tragjedi familjare, por dëshmia më e dhimbshme e dështimit të sistemit tonë”, ka deklaruar Musliu.
Ajo ka ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë institucionale, duke theksuar se duhet të kërkohet llogari sa herë që një grua humb jetën.
Musliu ka vënë theks të veçantë edhe te urdhrat e mbrojtjes, duke kërkuar që ata të zbatohen në praktikë dhe të garantojnë sigurinë e grave.
“Urdhri i mbrojtjes duhet të jetë siguri në praktikë, jo thjesht një dokument i vdekur në letër”, ka theksuar ajo.



