FSK-ja pranon 12 kamionë të rinj ushtarakë nga Gjermania
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar 12 kamionë ushtarakë UNIMOG – Mercedes-Benz 5T, 4×4, të blerë për nevojat e saj.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili njoftoi se dorëzimi i automjeteve u bë në prani të kryeministrit Albin Kurti, komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadorit gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe përfaqësuesit të Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks, Daniel Zittel.
Sipas Maqedoncit, Gjermania po e mbështet FSK-në jo vetëm përmes blerjeve, por edhe me donacione. Në vitin 2024, Kosova kishte pranuar pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga Gjermania.
Ndërkaq, gjatë vitit 2027 pritet të pranohen edhe dy kamionë Rheinmetall KX 8×8 dhe katër kamionë zjarrfikës UNIMOG – Mercedes-Benz, gjithashtu si donacion nga shteti gjerman.
Ministri bëri të ditur se për vitin 2027 janë planifikuar të arrijnë edhe dhjetëra kamionë të tjerë të blerë për nevojat e FSK-së.
Me 12 kamionët UNIMOG dhe tetë kamionët Rheinmetall që kanë arritur gjatë kësaj jave, numri i automjeteve të pranuara deri më tani nga këto dy kategori ka arritur në 35.
Sipas Maqedoncit, kamionët e rinj do të rrisin kapacitetet transportuese dhe logjistike të FSK-së, duke mundësuar transportimin e personelit, pajisjeve dhe materialeve, si dhe furnizimin e njësive në terrene të vështira dhe në kushte të ndryshme operacionale.
Ai theksoi se investimet në pajisje, infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore do të vazhdojnë, me synimin për të ndërtuar një forcë profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë, në shërbim të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.



