Vrasja e Arlinda Zekajt, kryeprokurori Gashi rekomandon suspendimin e Vuçetajt dhe Gacaferrit

29 tetor 2026 | 12:31

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar për “Telegrafin” se ka iniciuar procedurë disiplinore dhe ka rekomanduar suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri.

“Po e konfirmoj”, ka thënë shkurt Gashi.

Ky zhvillim vjen pas ngjarjeve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, rast që ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet e drejtësisë i kanë trajtuar raportimet dhe kërkesat e viktimës për mbrojtje.

Rekomandimi për suspendimin e dy prokuroreve pritet të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të thirrur nga kryeprokurori Gashi.

Procedurat lidhen me gjetjet e evidentuara nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprimet dhe mosveprimet e dyshuara gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt.

Rasti i 49-vjeçares, e cila është vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive institucionale.

Me inicimin e procedurës disiplinore dhe rekomandimin për suspendim, pritet që mekanizmat kompetentë të shqyrtojnë përgjegjësitë eventuale të zyrtareve të përfshira në trajtimin e rastit.

Ndërkohë, lidhur me rastin, edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprime hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar raportimet e Arlindës.

IPK-ja ka konfirmuar për “Telegrafin” se, me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, do të shqyrtojë komunikimin e zyrtarëve policorë me viktimën, kohën e reagimit, si dhe veprimet apo mosveprimet eventuale gjatë trajtimit të rasteve të raportuara.

Hetimet synojnë të vlerësojnë nëse zyrtarët policorë kanë vepruar në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe të identifikojnë përgjegjësitë eventuale individuale dhe institucionale.

Rasti ka nxitur reagime të shumta publike, veçanërisht pas publikimit të audio-incizimeve, në të cilat Arlinda dëgjohet duke kërkuar ndihmë nga policia.

Në njërin prej materialeve të publikuara, ajo dëgjohet duke iu drejtuar një zyrtari me fjalët: “Faruk, jam lodh, të lutem”, ndërsa në komunikim dëgjohet edhe shprehja “nuk të pranoj më”.

Tri ditë para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar nga institucionet ndërhyrje urgjente për mbrojtjen e saj, sipas raportimeve të publikuara në medie.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Harry Kane u ka bërë një premtim të veçantë bashkëlojtarëve…