IPK-ja nis hetimet për trajtimin nga policia të raportimeve të Arlinda Zekajt

29 tetor 2026 | 12:07

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese për të shqyrtuar mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar raportimet e të ndjerës Arlinda Zekaj, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.

Nisja e këtyre veprimeve vjen pas raportimeve në media lidhur me kërkesat për ndihmë që Arlinda kishte drejtuar te zyrtarët policorë para vrasjes së saj.

Në media janë publikuar edhe pjesë të komunikimit të saj me një zyrtar policor, përfshirë mesazhin: “Faruk, jam lodh, të lutem”, si dhe pretendimin se polici i ishte përgjigjur: “Nuk të pranoj më”.

Në një përgjigje për “Tëvë1”, IPK-ja ka konfirmuar se veprimet po zhvillohen me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të verifikimit të plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të Arlindës.

“Qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Institucioni ka bërë të ditur se gjatë procesit do t’i shqyrtojë të gjitha shqetësimet e ngritura në media, duke përfshirë komunikimin e zyrtarëve policorë me viktimën, kohën e reagimit dhe raportimet e bëra lidhur me rastin.

“Në kuadër të këtij procesi, IPK do të shqyrtojë edhe të gjitha shqetësimet e ngritura në media lidhur me veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë përgjegjës, përfshirë, por pa u kufizuar, edhe komunikimin me viktimën, kohën e reagimit dhe secilin raportim që ndërlidhet me këtë rast”, thuhet më tej në përgjigje.

IPK-ja ka theksuar se do të bashkëpunojë me institucionet kompetente të drejtësisë për të siguruar trajtim profesional, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të çështjes, në përputhje me mandatin ligjor dhe duke respektuar integritetin e hetimeve.

Veprimet hetimore synojnë të sqarojnë nëse zyrtarët policorë i kanë përmbushur detyrimet ligjore dhe kanë vepruar sipas procedurave përkatëse, si dhe nëse ka përgjegjësi individuale apo institucionale në trajtimin e raportimeve të Arlinda Zekajt.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, i ka kërkuar kryeministrit Albin…