Rritja e kostove të jetesës në Itali, priten protesta në 50 qytete

30 tetor 2026 | 17:01

Një ditë protestash në shkallë kombëtare kundër qeverisë së kryeministres italiane, Giorgia Meloni, ka nisur sot, me demonstrata të planifikuara në rreth 50 qytete të vendit.

Nxënësit e shkollave dhe studentët pritet t’u bashkohen shumë prej tubimeve, ndërsa sindikata USB ka bërë thirrje për greva në disa sektorë, përfshirë transportin publik urban dhe ndërqytetës, si dhe shërbimin shëndetësor.

Forca të shumta të sigurisë janë angazhuar në terren, për shkak të shqetësimeve për shpërthimin e mundshëm të akteve të dhunës. Protestat drejtohen kundër koalicionit qeverisës të Melonit, të përbërë nga tri parti të ekstremit të djathtë dhe konservatore, i cili është në pushtet prej katër vitesh.

Demonstruesit e bëjnë qeverinë përgjegjëse për inflacionin e lartë dhe pagat e ulëta, ndërsa studentët kërkojnë më shumë financime për shkollat dhe universitetet.

Ministri i Transportit, Matteo Salvini, ka nxjerrë një urdhër për ndalimin e grevave në sektorin e transportit, para festës së të Gjithë Shenjtorëve, e cila kremtohet më 1 nëntor dhe është një nga ditët e rëndësishme të pushimit në vend.

Megjithatë, sindikata USB ka deklaruar se nuk do ta respektojë këtë ndalim dhe do të vazhdojë me grevën.

Autoritetet kanë njoftuar kontrolle më të rrepta policore dhe masa shtesë sigurie në shumë qytete, me qëllim parandalimin e trazirave.

Në Romë, masat janë përforcuar në zonën përreth Koloseut, atraksionit turistik më të vizituar të Italisë, ndërsa në Milano është vendosur mbrojtje e posaçme edhe për katedralen në qendër të qytetit.

Protestat e mëparshme, veçanërisht në Milano, kanë përfunduar me përleshje dhe trazira të rënda, ndonëse fillimisht kanë nisur në mënyrë paqësore. Për këtë arsye, demonstruesve u është kërkuar të shmangin përdorimin e kapuçëve dhe helmetave gjatë tubimeve.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Përplasjet mes forcave politike të qendrës në Francë po shtojnë…