“Jemi shumë afër”, Trumpi shpreson për marrëveshje mes Putinit dhe Zelenskyt
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shprehur optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke pretenduar se palët mund të jenë afër një zgjidhjeje të konfliktit.
Në një intervistë me komentatorin konservator Benny Johnson, të publikuar të shtunën, Trump deklaroi se ekziston një “shans vërtet i mirë” për përfundimin e luftës.
“Unë mendoj se po i afrohemi shumë arritjes së një marrëveshjeje”, tha Trump, duke iu referuar armiqësisë së thellë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
I pyetur nëse një marrëveshje mund të arrihet gjatë samitit të G20, i cili pritet të mbahet në dhjetor në resortin e tij Trump National Doral në Florida, presidenti amerikan nuk e përjashtoi këtë mundësi.
“Unë mendoj se ka shumë mundësi që ta zgjidhim këtë çështje. Gjithashtu, po punojmë për shumë marrëveshje”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Trump foli edhe për Iranin, duke përsëritur qëndrimin e administratës së tij kundër pajisjes së këtij shteti me armë bërthamore.
Ai pretendoi se kapacitetet ushtarake të Iranit janë dobësuar ndjeshëm, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura ta përfundojnë këtë çështje.
Megjithatë, deklaratat e Trumpit nuk shoqërohen me ndonjë marrëveshje të konfirmuar mes Moskës dhe Kievit, ndërsa mbetet të shihet nëse negociatat do të prodhojnë rezultate konkrete.



