Shahini kritikon qeverinë për mosfunksionalizimin e KES-it

01 nëntor 2026 | 09:25

Mosfunksionalizimi i Këshillit Ekonomiko-Social(KES) që nga fundi i vitit 2022 po vazhdon të jetë shqetësim për përfaqësuesit e bizneseve dhe partnerët socialë në Kosovë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit(AKB) Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Online e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vonesat në funksionalizimin e këtij mekanizmi, duke kërkuar që ai të vihet sa më parë në funksion.

Sipas tij, mungesa e Këshillit po pamundëson konsultimin e mirëfilltë me punëdhënësit dhe punëmarrësit për çështje të rëndësishme që lidhen me tregun e punës dhe të drejtat e punëtorëve.

“Këshilli Ekonomik-Social është kategori ligjore në Republikën e Kosovës dhe nuk është duke funksionuar që nga fundi i vitit 2022. Kjo nuk është për fajin e Aleancës së Biznesit apo të partnerëve të tjerë socialë, por të Qeverisë së Kosovës, e cila nuk po arrin të organizojë një konkurs që do të mundësonte funksionalizimin e Këshillit Ekonomik-Social, kërkesë kjo e ELA-s, Organizatës Botërore të Punës”, deklaroi Shahini.

Ai ka theksuar se konkursi për përzgjedhjen e partnerëve socialë do të duhej të shpallej gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Këshillit, në mënyrë që të plotësoheshin kushtet dhe kriteret e nevojshme për përfaqësim.

“Thamë se mandati i Këshillit Ekonomiko-Social do të duhet menjëherë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Këshillit Ekonomiko-Social të shpallet një konkurs, për t’i zgjedhur partnerët, sepse janë disa kushte e kritere për t’i plotësuar partnerët, dhe në këtë drejtim aleanca i ka dy anëtarë dhe këtë nuk e ka bërë Qeveria e Kosovës. Është kërkesë imediate e Këshillit Ekonomiko-Social Europian që sa ma shpejtë të funksionalizohet Këshilli Ekonomiko-Social për të trajtuar tema të rëndësishme siç janë paga minimale, pastaj kontrata apo marrëveshja kolektive e punës, ligji i punës, ligji për pushim për lehoni  që trajton standardet jetëësore për punëdhënsin dhe punëmarrësin, puntorët dhe të gjithë këto vendime që janë marr deri më tani është pothuajse katër vjet Qeveria e Kosovës i ka marr pa partner social pa pëlqimin, pa mendimin e tyre pa rekomandimin e tyre, prandaj kjo do duhej që sa ma shpejt të trajtohet kjo kërkesë e gjith partnerëve socialë ekonomikë të Kosovës dhe të funksionalizohet Këshilli Ekonomiko-Social”, potencoi ai.

Shahini ka thënë se pret që Këshilli Ekonomiko-Social të funksionalizohet sa më shpejt, veçanërisht pas gatishmërisë së shprehur nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti për të krijuar ura komunikimi me partnerët socialë.

Sipas tij, bazuar në paralajmërimet e ministrit, kjo çështje mund të zgjidhet brenda disa muajsh, para Vitit të Ri.

“Sipas ministrit, i cili ishte shprehur i gatshëm për të krijuar ura të reja të komunikimit me partnerët socialë, kjo do të jetë çështje e muajit, që mund të jetë para Vitit të Ri, dhe ne e presim me padurim, që vërtetë të krijohet Këshilli Ekonomiko-Social dhe të ulen partnerët. Po të gjitha këto probleme që vazhdimisht i kanë trajtuar partnerët socialë, por jo në Këshill, po në një formë individuale, në mënyrë që vërtet ne të jemi partnerë që ndërkohë politikat zhvillimore, sociale dhe angazhohemi bashkë me partnerët e kompanisë, duke krijuar ndërtim sa më të mirë për investime dhe për trajtimin e punëtorëve, konventave dhe të gjitha atyre që marrin pjesë në tregun e punës”, shtoi ai për Ekonomia Online.

Sipas Ligjit Nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social, KES-i përbëhet nga 15 anëtarë: 5 përfaqësues të Qeverisë, 5 të punëdhënësve dhe 5 të punëmarrësve (sindikatave).

Ministri Andin Hoti më 23 tetor ka mbajtur takimin e parë të “Tryezës me partnerët socialë”, ku me përfaqësues të sindikatave dhe të organizatave të punëdhënësve diskutuan për marrëdhëniet e punës, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe nxitjen e punësimit.

Pjesë e diskutimit ishte edhe konstituimi dhe funksionalizimi i Këshillit Ekonomiko-Social.

Ai ka thënë se i ka ftuar partnerët socialë të jenë pjesë aktive e hartimit të politikave dhe legjislacionit, duke kontribuar me përvojën dhe propozimet e tyre.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Rreth 2.000 persona të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës…