Rubio dyshon në arritjen e paqes së negociuar në Ukrainë, mbron kontaktet me Rusinë

01 nëntor 2026 | 12:49

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se nuk është i sigurt nëse është i mundur përfundimi i luftës në Ukrainë përmes negociatave. Ndërkohë, zyrtarë evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë se diplomati i lartë amerikan ka shprehur privatisht dyshime edhe për pjesëmarrjen e presidentit rus, Vladimir Putin, në samitin e G20-ës, që do të mbahet në dhjetor në Majami.

Zyrtarët evropianë, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se Rubio u kishte shprehur privatisht homologëve perëndimorë dyshimet e tij për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në muajt e ardhshëm. Këto diskutime u zhvilluan gjatë takimit dyditor të ministrave të Jashtëm të G20-ës në Atlanta, i cili përfundoi më 31 tetor.

Deklaratat publike të Rubios në konferencën përmbyllëse për media ishin dukshëm të rezervuara. I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse besonte se mund të arrihej një marrëveshje përmes negociatave, duke pasur parasysh se Moska nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj, ai tha se Uashingtoni ende po përpiqet të përcaktojë nëse një marrëveshje është e mundur.

“Nuk e di nëse paqja përmes negociatave është e arritshme në Ukrainë. Këtë po përpiqemi ta zbulojmë”, tha Rubio. “Nuk mendoj se dikush këtu po pretendon se jemi në prag të një marrëveshjeje përmes negociatave”.

Ai tha se të dërguarit e presidentit Donald Trump, përfshirë Jared Kushnerin dhe Steve Witkoffin, po i kushtojnë një pjesë të madhe të kohës çështjeve të Ukrainës dhe Iranit. “Por nuk jam këtu për t’ju thënë se jemi në prag të një marrëveshjeje të tillë”, tha Rubio, duke shtuar se shpreson që përfundimisht të arrihet një marrëveshje.

Ai sqaroi gjithashtu se negociatat për Ukrainën nuk ishin diskutuar gjatë takimit të G20-ës në Atlanta.

Rubio ishte po aq i kujdesshëm kur u pyet nëse Putini do të merrte pjesë në samitin e dhjetorit, të cilin Trump planifikon ta organizojë në resortin në Florida.

“Nuk e di as nëse presidenti Putin do të vijë në Majami. Ata ende nuk na kanë njoftuar dhe as nuk e kanë konfirmuar”, tha ai.

Tre zyrtarët evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë se Rubio kishte shprehur privatisht dyshime se presidenti rus do ta pranonte ftesën.

Ata thanë gjithashtu se sekretari amerikan i Shtetit kishte mbrojtur vendimin e administratës për ta ftuar ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Atlanta, dhe për t’i dërguar ftesë Putinit, duke argumentuar se angazhimi diplomatik është i domosdoshëm për arritjen e një marrëveshjeje.

“Si mund të arrihet një marrëveshje përmes negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse nuk ke mundësi të bisedosh si me Rusinë, ashtu edhe me Ukrainën?”, pyeti më vonë Rubio, kur gazetarët këmbëngulën për këtë çështje.

Ai tha se Trump nuk e konsideron takimin apo bisedën me një udhëheqës të huaj si legjitimim të veprimeve të tij apo si pajtim me gjithçka që ai përfaqëson.

Rubio përmendi gjithashtu arsenalin bërthamor të Rusisë si një arsye për ruajtjen e komunikimit mes Uashingtonit dhe Moskës, pavarësisht gjendjes së marrëdhënieve dypalëshe.

“Është gjithmonë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të kenë komunikim në njëfarë niveli, për shkak të rrezikut të përshkallëzimit në të ardhmen”, tha ai.

Duke folur për kontaktet e tij me Lavrovin në Atlanta, Rubio tha se ata nuk kishin zhvilluar takim zyrtar. Sipas tij, kishin biseduar shkurtimisht për mundësinë e takimit të udhëheqësve të vendeve të tyre në samitin e ardhshëm të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), por nuk kishin bërë ndonjë zotim konkret lidhur me samitin e G20-ës

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një grup qytetarësh janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” para…