Zelensky: Ukraina çliroi më shumë territor sesa humbi gjatë tetorit, Rusia pësoi mbi 54 mijë humbje
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina gjatë muajit tetor ka arritur të çlirojë më shumë territor sesa ka humbur nga forcat ruse, duke pretenduar se ushtria ukrainase ka rimarrë 96.2 kilometra katrorë tokë.
Sipas Zelenskyt, kjo sipërfaqe është 10.4 kilometra katrorë më shumë sesa territori që Rusia arriti të pushtonte gjatë së njëjtës periudhë.
“Rusia po humbet. Ne po mbajmë pozicionet tona, po çlirojmë territore dhe po sigurojmë që çdo ditë e luftës t’i kushtojë agresorit sa më shumë që të jetë e mundur”, deklaroi Zelensky të dielën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ai u bëri thirrje autoriteteve ruse që t’i japin fund luftës përmes një armëpushimi dhe diplomacisë.
“Për t’i dhënë fund këtyre humbjeve të çmendura, Rusia duhet thjesht të zgjedhë armëpushimin dhe diplomacinë”, tha presidenti ukrainas.
Ndërkohë, ushtria ukrainase ka bërë të ditur se tetori ishte muaji me numrin më të madh të humbjeve për forcat ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Sipas të dhënave të publikuara nga Kievi, forcat ruse pësuan rreth 54 mijë e 400 humbje gjatë tetorit, përfshirë ushtarë të vrarë dhe të plagosur. Kjo është shifra më e lartë mujore e raportuar nga ushtria ukrainase që nga fillimi i luftës.
Ushtria ukrainase pretendon se ritmi i humbjeve të forcave ruse është më i shpejtë sesa aftësia e Moskës për të rekrutuar ushtarë të rinj për t’i zëvendësuar ata.
“Çdo muaj lufte po bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm për forcat e armatosura të Rusisë”, thuhet në deklaratën e ushtrisë ukrainase.
Megjithatë, as Ukraina dhe as Rusia nuk publikojnë rregullisht të dhëna zyrtare për humbjet e tyre ushtarake, ndërsa shifrat e bëra publike nga palët ndërluftuese nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Sipas Kievit, që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të gjerë, Rusia ka pësuar më shumë se 1.5 milionë humbje, përfshirë të vrarë dhe të plagosur.
Para tetorit, muaji me numrin më të madh të humbjeve ruse ishte dhjetori i vitit 2024, kur, sipas ushtrisë ukrainase, u raportuan 48 mijë e 670 ushtarë të vrarë dhe të plagosur.
Tetori shënoi gjithashtu rekord për përdorimin e dronëve nga forcat ukrainase. Komandanti i Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës, Robert “Madyar” Brovdi, deklaroi se gjatë muajit të kaluar një objektiv rus neutralizohej mesatarisht çdo 41 sekonda.
Sipas tij, çdo 159 sekonda eliminohej një ushtar rus.
Brovdi bëri të ditur se njësitë e dronëve nën komandën e tij vranë gjithsej 16 mijë e 796 ushtarë rusë gjatë tetorit, shifër kjo rreth 25 për qind më e lartë krahasuar me muajin shtator.
The GeoPost



