Macroni nuk i bind studentët, Franca po përgatitet për një tjetër javë trazirash

02 nëntor 2026 | 08:12

Protestat e studentëve në Francë pritet të rifillojnë me intensitet më të lartë nga e hëna.

Përfaqësuesit e tyre kanë paralajmëruar bllokimin e disa shkollave të mesme dhe universiteteve, pasi i kanë cilësuar të pamjaftueshme masat e propozuara nga qeveria.

Pierre Sourzat, drejtues i grupimit studentor “Lycéens!”, tha se disa shkolla do të bllokohen që ditën e hënë, kur nxënësit kthehen nga pushimet 2-javore. Sipas tij, protestat pritet të përshkallëzohen të martën.

“Ne mbështesim të gjithë bashkëmoshatarët tanë që do të bllokojnë shkollat që nesër”, deklaroi ai për televizionin RMC.

Lëvizja protestuese nisi fillimisht nga nxënësit e shkollave të mesme, të cilët kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës, kushtet e përkeqësuara në arsim dhe pabarazinë.

Të shtunën, qindra mijëra persona, mes tyre nxënës dhe studentë, dolën në rrugët e qyteteve franceze për të tretën fundjavë radhazi.

Një ditë më parë, përfaqësuesja e Unionit Studentor, Sabrine Kharbach, njoftoi se të martën dhe të enjten do të ketë bllokime të shkollave dhe universiteteve.

Qeveria franceze kishte prezantuar një paketë masash për t’iu përgjigjur kërkesave të protestuesve. Ndër to përfshiheshin ndryshimi i sistemit të pranimit në universitete dhe financimi i rikonstruksionit të shkollave.

Por studentët i kanë cilësuar këto masa të pamjaftueshme. Ata kërkojnë më shumë vende në universitete, kushte më të mira mësimi dhe ulje të numrit të nxënësve në të gjitha klasat, jo vetëm në vitin e parë të shkollës së mesme.

Edhe presidenti Emmanuel Macron u ka bërë thirrje të rinjve që mësimi të rifillojë normalisht, duke thënë se kërkesat e tyre janë dëgjuar. Por Sourzat e kundërshtoi këtë qëndrim, duke deklaruar se qeveria nuk i ka marrë seriozisht shqetësimet e tyre.

Ndërkohë, mundësitë e qeverisë për të përmbushur kërkesat me shpenzime të reja janë të kufizuara. Ekonomia franceze po përballet me rrezikun e recesionit, ndërsa vendi është nën presion për të ulur borxhin publik.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Me rastin e 37-vjetorit të rënies së heronjve të kombit,…