Ekspertët kërkojnë pakt nacional për arsimin: Gjendja në shkolla është alarmante

02 nëntor 2026 | 11:53

Financimi i pamjaftueshëm, sfidat në zbatimin e kurrikulës, cilësia e mësimdhënies dhe ndërlidhja e shkollimit me tregun e punës janë ndër shqetësimet kryesore të ngritura gjatë tryezës së organizuar nga Komisioni parlamentar për Arsim, ku u diskutua për sfidat dhe prioritetet e arsimit parauniversitar.

Përderisa përfaqësuesit institucionalë kërkuan bashkëpunim më të gjerë për përmirësimin e sistemit arsimor, ekspertët vlerësuan se gjendja është alarmante dhe kërkon një pakt nacional për arsimin, raporton KosovaPress.

Në diskutimin e mbajtur të hënën, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, theksoi se strategjia arsimore duhet të trajtohet si përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, komunave, shkollave, shoqërisë civile dhe prindërve.

Ai bëri me dije se mësimi tërëditor aktualisht zbatohet vetëm në Prishtinë dhe Kamenicë, ndërsa zgjerimi i tij kërkon përgatitje infrastrukturore dhe përshtatje të kurrikulës.

“Aktualisht janë dy komuna që po e zbatojnë këtë politikë. Është Komuna e Prishtinës dhe e Kamenicës. Ne duhet të sigurohemi që t’i marrim mësimet nga këto dy komuna, në mënyrë që të mos i përsërisim gabimet e njëjta. Gabime të tjera mund të bëjmë, por të njëjtat nuk kemi nevojë t’i përsërisim. Për këtë, padyshim që do të kemi komunikim dhe bashkëpunim me komunat. Nëse pajtohemi se arsimi tërëditor është mënyra më e mirë e organizimit në shkolla, atëherë duhet të flasim edhe për infrastrukturën, por edhe për kurrikulën që e mbështet një politikë të tillë. Ne tashmë jemi duke punuar në hartimin e një protokolli për ndërtimin e shkollave, të cilit duhet t’i përmbahen të gjitha investimet e reja, si dhe projektet për krijimin apo përshtatjen e infrastrukturës ekzistuese”, tha Kryeziu.

Duke folur për arsimin profesional, ai njoftoi se aktualisht ekzistojnë 16 profile të arsimit dual dhe se pritet të shtohen edhe të tjera. Kryeziu kërkoi bashkëpunim më të ngushtë me bizneset, në mënyrë që shkollat profesionale t’u përgjigjen nevojave të tregut të punës.

“Na duhet bashkëpunim më i afërt me sektorin privat, për shkak se ata janë, si të themi, dera e parë e pranimit dhe adresa e parë e tregut të punës. Investimet në shkolla duhet të bëhen në atë drejtim që shkollat t’u ngjajnë sa më shumë ndërmarrjeve dhe më pak shkollave konvencionale që i njohim ne”, u shpreh ai.

Megjithatë, drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, paralajmëroi se zgjerimi i mësimit tërëditor paraqet sfidë serioze financiare për komunat, veçanërisht sa i përket punësimit të mësimdhënësve.

Ndërkaq, drejtori i ETA-s, Agon Ahmeti, kërkoi një marrëveshje gjithëpërfshirëse që tejkalon interesat politike, duke paralajmëruar se situata në arsim kërkon ndërhyrje urgjente.

Ai përmendi edhe studimet sipas të cilave 85 për qind e nxënësve nuk e kanë të zhvilluar mendimin kritik.

“Ka ardhur koha që ta shpallim një pakt nacional për arsimin, që i tejkalon interesat e ngushta, qoftë partiake apo të çfarëdo grupacioni tjetër që ka pushtet. Situata në arsim është urgjente. Më jepet përshtypja se edhe shpallja e arsimit si prioritet qeveritar nuk mjafton. Gjendjen e kemi alarmante, nëse u besojmë këtyre studimeve. Nuk e di nëse Kosova e ka një vizion se çfarë qytetarësh dëshiron të ketë”, tha Ahmeti.

Edhe kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, vlerësoi se Kosova po përballet me një krizë të vazhdueshme në arsim. Përgatitja e mësimdhënësve, zbatimi i kurrikulës dhe rezultatet në testin ndërkombëtar PISA ishin disa nga çështjet që Hoxhaj vuri në theks.

“Debat i gjerë është çështja e PISA-s, e cila, jo vetëm pse është një vlerësim i jashtëm, por edhe sepse i shpërfaq në mënyrë serioze problemet në fushën e arsimit. Po ashtu, çështje të rëndësishme janë edhe tekstet shkollore, që mbeten një problem i vazhdueshëm, ndërlidhja e arsimit me tregun e punës dhe Këshilli i Prindërve”, tha ai.

Në anën tjetër, Osman Buleshkaj nga Instituti Pedagogjik i Kosovës ngriti shqetësimin për mënyrën e shpërndarjes së buxhetit për arsim, duke theksuar se pjesa dërrmuese e mjeteve shpenzohet për paga, ndërsa investimet për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies mbeten sfidë.

Edhe nga diskutimet e pjesëmarrësve të tjerë u theksua nevoja për koordinim më të madh ndërinstitucional, financim të qëndrueshëm dhe reforma që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e mësimit, përtej hartimit të strategjive dhe politikave arsimore.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Lalis Sh.P.K. shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me numër…