AfD-ja gjermane rishikon qëndrimin kundër euros dhe BE-së
Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), po rishikon qëndrimin e saj tradicional kundër euros dhe Bashkimit Evropian, në një kohë kur partitë e djathta po fitojnë ndikim në Evropë.
E themeluar në vitin 2013 si kundërshtare e politikave të BE-së gjatë krizës së euros, AfD-ja po shqyrton mundësinë e reformimit të Unionit nga brenda, në vend që të kërkojë largimin e Gjermanisë prej tij.
Në një dokument strategjik të prezantuar nga bashkëkryetarja Alice Weidel, partia propozon rinegocimin e traktateve evropiane, zgjerimin e kompetencave të shteteve anëtare dhe mundësinë e përjashtimit nga disa politika të përbashkëta, duke lënë të hapur vazhdimin e përdorimit të euros.
Megjithatë, ky ndryshim i kursit ka shkaktuar debate brenda partisë. Një pjesë e anëtarëve, veçanërisht të rinjtë, argumentojnë se largimi nga monedha e përbashkët do ta dëmtonte ekonominë gjermane, e cila mbështetet fuqishëm në eksporte dhe tregtinë evropiane.
Sipas agjencisë “Reuters”, kjo qasje lidhet edhe me përpjekjet e AfD-së për të krijuar mundësi bashkëpunimi me partitë e tjera konservatore në Gjermani, megjithëse Unioni Demokristian (CDU) aktualisht e përjashton një aleancë të tillë.



