Një roman i poetikës së ëndrrës dhe intertekstit
Sali Bashota: “Rikthimi i Servantesit në Ulqin”, Botimet REA, Prishtinë, 2025
Shkruan: Qazim Muja
Romani “Rikthimi i Servantesit në Ulqin” i shkrimtarit të mirënjohur Sali Bashota është një vepër e pazakontë në sistemin e letrave shqipe, për faktin e thjeshtë se sfidon vetë kategorinë e zhanrit. Vepra nuk është roman historik, as roman biografik, as roman dokumentar, por një roman poetik (në kuptimin bashkëkohor të termit), i cili i afrohet formave hibride të modernizmit të vonë dhe postmodernizmit evropian. Pra, një zhanër mes prozës, eseistikës, poezisë dhe diaristikës. Në këtë kontekst, Bashota ndërton një narrativë ku e kaluara historike ndërthuret me fantazinë, ku biografia e shkrimtarit të madh evropian zhvendoset në Ulqin, ndërsa koha ngurtësohet në një kohë poetike, të çliruar nga lineariteti kronologjik.
Nëse romanet tradicionalë shqiptarë të shekullit XX u bazuan në struktura narrative lineare, te Bashota kemi një roman fragmentar, ku secili segment është një njollë lirike, një skicë narrative, një pjesë e ndërgjegjes kulturore, një bisedë intertekstuale, apo një shënim diaristik i imagjinatës, është një tekst që lëviz mes kufijve të letërsisë dokumentare, rrëfimit poetik, legjendës urbane dhe imagjinatës metafizike.
Në romanin poetik “Rikthimi i Servantesit në Ulqin”, Sali Bashota ndërton një hapësirë të veçantë ku historia, mitologjia, kujtesa kolektive, poezia dhe proza bashkohen në një rrëfim që ngjan të jetë njëkohësisht edhe i lashtë edhe bashkëkohor, duke përfaqësuar një ndërlidhje të rrallë mes narrativës, lirikës dhe meditimit filozofik. Në traditën e letërsisë shqipe, ku proza poetike e Kadaresë së hershëm, Qosjes, po ashtu të hershëm, dhe ndonjë tjetër, ka ndërtuar modele të ndërmjetme tekstuale, Bashota sjell një formë tërësisht të ndryshme – poetikën e ëndërrimit narrativ, ku fabula është pothuaj minimale, por semantika e figurës është maksimale. Autori zgjedh të flasë me gjuhën e ëndrrës dhe të figurës, duke e rikthyer Miguel de Servantesin në vendin ku, sipas gojëdhënave, kishte kaluar një pjesë të robërisë së tij – në Kalanë e Ulqinit, përpara periudhës së Don Kishotit, dhe ky nuk është thjesht një rikthim gjeografik, por rikthim shpirtëror, metafizik, poetik e ekzistencial.
“Rikthimi i Servantesit në Ulqin” nuk është një roman në kuptimin tradicional të fjalës – është një poemë e gjatë narrative, një fabul e flakëruar ku proza merr ritmin e vargut, ndërsa narracioni merr strukturën e ëndërrimit. Duke e ngritur Servantesin në një simbol të njeriut që kërkon dorëshkrimin e humbur, pra – identitetin, kuptimin, arsyen e të krijuarit – Bashota rikrijon në mënyrë të tërthortë vetë dramën e krijimit letrar me një dimension poetik – me gjuhë të dendur, ritme të buta dhe me një lirizëm të përmbajtur.
Struktura e romanit është ndërtuar përmes një poetike të fragmentit, ku kapitujt funksionojnë si njësi të veçuara lirike, por që në tërësi krijojnë një rreth hermeneutik të mbyllur. Ky fragmentarizim do t’i kujtojë lexuesit disa specie të prozës më kulmore moderne, si prozën moderniste të Virxhinia Vulf, ku kemi të bëjmë me transmetimin valëzues të ndjeshmërisë dhe ndërgjegjes, rrëfimin metaforik të Gibranit ku kemi të bëjmë me tonalitetin poetik dhe shenjtërimin e artit, dhe poetikën e madhe të prozës mesdhetare – Eko, Tabuki, Saramago.
Kjo poetikë e gjitha ndërtohet mbi përsëritjen ritmike të imazheve (deti, shiu, dallëndyshet, shkallët e kalasë, ëndrrat, heshtja), pastaj mbi metaforat e bartura nga tradita e letërsisë mesdhetare, mbi erotizmin e brendshëm, të butë dhe të pastër, mbi simbolikën e dritës dhe ujit, si shtylla të jetës shpirtërore të personazhit, dhe mbi dialogun poetik, i cili shpesh funksionon si një lloj korifeu tragjik që gjatë tërë kohës komenton fatin, kohën dhe dashurinë.
Ndryshe nga romanet historike klasike, Bashota nuk ndjek ndonjë linearitet, por ndërton një propozicion poetik mbi rikthimin. Dhe pikërisht kjo e zhvendos veprën në territorin e romanit poetik dhe eseistik, dhe për këtë arsye mbetet i veçantë në sistemin e letrave shqipe. Teksti është i segmentuar në mini-skena, biseda, intermexo, fragmente diaristike, legjenda dhe hinte apo aluzione metafizike – bashkë me një lirizëm mesdhetar dhe një intertekst të hapur ndaj traditave klasike evropiane. Fragmentet e romanit shpesh lexohen si fragmente të një ditari metafizik:
“Nga ajo ditë që u rikthye në Ulqin, Servantesi i përkujtoi të gjitha ëndrrat…” Kjo fjali, e përsëritur disa herë në tekstin e autorit, nuk është thjesht një hapje narrative – është një e ashtuquajtur mantra poetike që e bart lexuesin nëpër ëndrra, nëpër mite, nëpër atë zonën gri midis përvojës dhe fantazisë. Bashota këtu e ndërton gjuhën si një magmë të butë ku çdo fjalë lëshon refleks poetik ku elementet ndarëse midis prozës dhe vargut treten tërësisht. Letërsia e tij nuk ndjek realitetin, por ajo në dimensionin narrativ krijon një realitet të ri, paralel, të një romani me rrëfim të ëndërruar. Edhe pse veprën autori me të drejtë e quan roman poetik, rrëfimi po ashtu është shumë afër një novele meditative me strukturë rrethore. Ngjarjet kryesore, siç janë rikthimi, kërkimi i dorëshkrimit të humbur, takimi me Dulqinjën, episodet me piratët dhe robërit, legjendat e Ulqinit, nuk ndërtohen si kapituj linearë, por si valë, si valë imagjinare, si valët e detit.
Në tekst shfaqen qartë tre bërthama narrative – kthimi (i Servantesit), dashuria, dhe legjendat dhe gojëdhënat.
Servantesi kthehet për të kërkuar dorëshkrimin e humbur, objekt simbolik, mitik, një lloj ‘paradoksi kishotesk’ për ata që i kundërvihen idesë së tij. Dorëshkrimi është vetë krijimi i njeriut, kujtesa e tij, identiteti i tij.
Kur është fjala te dashuria, Dulqinja nuk është thjesht personazh. Ajo është një figurë e dashurisë në dy dimensione: dashuria e hershme, legjendare, mitike, e që është ‘Spanja e brendshme’ e Servantesit, dhe ajo dashuria tokësore, ulqinake, e butë, e ndritshme, një lloj Antigone mesdhetare që bart frymëzimin e artit. Autori nga kjo figurë krijon një dyshe poetike ku Servantesi si personazh lëviz midis dy zjarreve – zjarrit të përjetimit dhe zjarrit të kujtesës.
Legjendat dhe gojëdhënat ku ndërthuren piratët e penduar, dallëndyshet e detit, robërit që shohin ëndrra, princat që flenë pa ëndrra, janë figura të një mitologjie të re, të krijuara nga autori. Pra, Bashota prodhon mitologji letrare shqiptare, e cila shkon paralel me mitet iberike, ilire, mesdhetare.
Brendia e romanit është e mbushur me reflektim filozofik, sidomos mbi natyrën e artit, raportin midis realitetit dhe fantazisë, kufijtë e dashurisë, idealin e njeriut, misterin e kujtesës, dhe tensionin midis lirisë dhe robërisë. Fjalitë ndërtohen me një ritëm të qetë, meditativ, që na kujton më shumë Gibranin, Ekon, Kadarenë e hershëm, sesa një prozë klasike shqiptare. Në disa vende romani merr edhe formën e një apologjie për artin: “Dorëshkrimi i humbur është si metafora e ëndrrave…”, “Fuqia e artit është mister i pavdekshëm…” Këto fraza shpesh funksionojnë si nëntekst i gjithë romanit. Pothuajse çdo figurë në roman është simbolike. Më të dukshmet janë, në rend të parë deti si hapësirë e lirisë dhe robërisë, e ëndrrës dhe ankthit. Deti është “labirinti blu” i njeriut mesdhetar – thotë Bashota. Pastaj shiu si pastrim shpirtëror, përvojë e fëmijërisë, si rit i lindjes së dashurisë. Dallëndyshet e detit si bartëse të mesazheve të shpirtit, bartëset e fatit, të mallit, të shtegtimit. Te Bashota ato bëhen metaforë e ëndrrave të lira. Kalaja e Ulqinit është teatri i brendshëm i romanit – vendi ku historia ngrihet si mit, ku gurët flasin dhe heshtja zë vendin e kohës. Ndërsa dorëshkrimi, si simbol i krijimit që njeriu e humb dhe e kërkon gjithë jetën, është identiteti, kujtesa, misioni.
Romani poetik “Rikthimi i Servantesit në Ulqin” i Bashotës, në të vërtetë, është një udhëkryq simbolik, ku secili element ka funksion të dyfishtë, atë konkret dhe atë alegorik, ndërsa në dimensionin estetik, ajo është një prozë e butë, e ndritshme, e ndërtuar mbi ritmin e figurës me një estetikë të vetën shumë të dallueshme lirike, e zhytur në figura. Kalimet mes skenave bëhen si në pikturë, me një shkallëzim të padukshëm ku koha e brendshme shtrihet dhe ngushtohet sipas ritmit të ndjenjës. Në shumë vende romanin e mbështjell një atmosferë e ndjeshme shpirtërore, pothuajse si e klasicizmit, por e ndërthurur me ritmin bashkëkohor të minimalizmit poetik. Kjo e bën veprën të lexohet si një oratorium i brendshëm letrar, ku secili kapitull është si një pjesë e një kantate të gjerë mesdhetare. Ndërtimet poetike, të formës së ashtuquajtur të mikro-prozës, duken qartë në bisedat mes Servantesit dhe Dulqinjës, të cilat funksionojnë si dialogë platonikë, ku botëkuptimi na shfaqet përmes formave aforistike:
“Të tjerëve nuk ua tregojmë ëndrrat tona” – thotë Dulqinja
“Kush dashuron, jeton” – ia kthen Servantesi
Zgjedhja e Bashotës për Servantesin nuk është rastësore. Servantesi real vërtet ka qenë rob dhe tradita shqiptare e ka lidhur gjithmonë me Ulqinin. Bashota e përdor këtë element si bazë për të krijuar një urë kulturore mes letërsisë spanjolle dhe shqiptare, një mit të ri ulqinak, një figurë të ndërkulturës, që shfaqet si një shkrimtar i botës, jo vetëm i Spanjës. Servantesi në roman është më shumë një hije poetike, një alter-ego e secilit krijues që kërkon dorëshkrimin e vet të humbur.
“Rikthimi i Servantesit në Ulqin” është një vepër e ndërtuar me përkushtim estetik, me një finesë të thellë gjuhësore dhe me një ndjeshmëri të rrallë poetike. Proza e tij funksionon si ‘prozë e bardhë’, ashtu si te Bart apo Kamy, ku figura poetike zë vendin e përplasjeve dramatike. Në këtë mënyrë, letërsia çlirohet nga ideologjia dhe kthehet në formën e saj më të pastër – te vetë gjuha.
“Rikthimi i Servantesit në Ulqin” është një vepër që nuk i ngjan asnjë vepre tjetër në letërsinë shqipe, si roman poetik, poemë narrative, refleksion filozofik dhe mit mesdhetar. Bashota arrin të ndërtojë një tekst të qetë, të thellë, të butë, të dendur, ku koha nuk rrjedh, por dridhet apo vibron si dritë në ujë. Si e tillë ajo është një ndër realizimet më të suksesshme të prozës poetike shqiptare në dhjetëvjetëshin e fundit.
Këtu patjetër dua të përmend se autorët që përdorin intermexo në një vepër poetike apo roman nuk e bëjnë këtë kurrë pa arsye. Në rastin e Sali Bashotës, nëntë intermexot në roman kanë një funksion të shumëfishtë, si estetik ashtu edhe strukturor, dhe janë ndër elementet më të rafinuara të të gjithë poetikës së romanit, si skena kryesore të këtij rituali mitik, apo si gurë të altarit mbi të cilin ngrihet e gjithë vepra.
Qëllimi i autorit duke përdorur nëntë intermexo është të ndërtojë një strukturë poetike, mitike dhe filozofike, që e tejkalon rrëfimin linear dhe e shndërron romanin në një univers të gjithanshëm poetik, ku mitet e Ulqinit, dashuria, deti, historia dhe mistika krijojnë një kozmos narrativ të përkryer. Do të përmend këtu intermexon e pestë dhe intermexon e nëntë të cilat krijojnë ndërprerje ritmike të romanit, duke sjellë informacion historik, legjenda urbane e madje edhe tone profetike, si te varianti: “Ar Ulku tha se pas pesëdhjetë vjetësh do të vijë një njeri i ditur në Ulqin…” strukturë kjo që e bën romanin një objekt të hapur hermeneutik.
Në fund do të konstatojmë se ky roman poetik nuk rrëfen vetëm historinë e një rikthimi, por rrëfen dramën e brendshme të çdo njeriu që kërkon çelësin e shpëtimit në kujtime, në dashuri, në art. Autori këtu krijon një hapësirë ku koha ngadalëson ritmin, ëndrra bëhet udhërrëfyes, dashuria merr përmasë metafizike, ndërsa arti bëhet forma më e lartë e lirisë.
Në këtë kuptim, romani i Bashotës është një himn për kujtesën, një elegji e dritës mesdhetare, dhe një meditim i gjerë për natyrën e njeriut. Ky roman poetik mund të konsiderohet si një ndër përpjekjet më të suksesshme të prozës së re poetike shqiptare në dekadën e fundit – një tekst që ndërton urën midis letërsisë së traditës dhe poetikave bashkëkohore post-strukturaliste.
Në nivel akademik, romani i Sali Bashotës mund të trajtohet si shembull i rëndësishëm i prozës së re estetike shqiptare, i cili integron traditat poetike, mitologjinë lokale dhe filozofinë e artit në një tekst të vetëm, me funksion të dyfishtë estetik dhe hermeneutik.

(Vlerësim kritik i paraqitur në promovimin e veprës, më 3 tetor 2026, në librarinë “Ulqini”, në Ulqin, organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”).



