Me buxhetin e vitit 2027 parashihet ndërtimi i unazës së jashtme të Prishtinës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka folur për prioritetet buxhetore, duke bërë të ditur se në buxhetin e planifikuar janë paraparë mbi 1 miliard euro për investime kapitale.
Kurti ka thënë se ky do të jetë buxheti i investimeve të mëdha kapitale, ku përfshihen projekte të reja infrastrukturore, ndërtimi i digave, investimet në mbrojtjen e mjedisit dhe kompletimi i infrastrukturës sportive në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“Ky buxhet do të jetë buxheti i investimeve madhore kapitale. Për herë të parë, buxheti parasheh mbi 1 miliard euro vetëm në kategorinë e investimeve kapitale. Këtu përfshihet ndërtimi i rrugëve të reja, siç janë: unaza e jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë që bashkon dy autostradat, autostrada e Dukagjinit dhe shumë rrugë të tjera rajonale e nacionale që parashihen të zgjerohen e të rehabilitohen”, ka deklaruar Kurti.



