Shpresa për një zgjidhje në luftën e Iranit sjell ulje të çmimit të karburanteve për 6,5%
Çmimi i karburanteve të hënën ra në nivelin më të ulët në më shumë se dy javë, në kohën e shpresës së re për një hap domethënës drejt përfundimit të luftës së Iranit.
Çmimi i naftës së papërpunuar në bursën “Brent” ra për më shumë se 6,5 për qind, në 105,55 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga 16 tetori, duke sjellë rritje të vlerës së aksioneve të kompanive ajrore dhe duke i ulur kostot e borxheve qeveritare, raporton gazeta “The Guardian”.
Çmimet e naftës ranë, pasi Teherani bëri të ditur se kontaktet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës së tyre 8-mujore janë duke vazhduar.
“Konsultimet përmes ndërmjetësve janë shumë intensive. Ne i kemi paraqitur kushtet dhe propozimet tona dhe gjithçka varet nga racionaliteti politik i Uashingtonit” – tha ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, sipas mediumit shtetëror, IRNA.
Gjatë fundjavës, zyrtarë nga Katari u munduan që ta negocionin zhbllokimin e aseteve iraniane me vlerë të mbi 6 miliardë dollarëve, në mënyrë që Teherani të mund ta lejonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump, kishte ton konfrontues, duke thënë para votuesve në Iowa se Irani do ta merrte “çekanin” nëse nuk shënohet progres.
“Arsyeja e vetme që nuk kam mbaruar punë me Iranin është për shkak se dua të jem i mirë. Dua të mundohem e t’i shpëtoj tërë ajo jetë, nëse mundem… Por në një pikë do të detyrohemi që t’ua japim çekanin” – tha Trumpi të dielën në një tubim fushate.
Megjithatë, investitorët i mirëpritën raportet e të hënës se lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i kishte thënë “kompetenca” qeverisë së tij në bisedimet me ShBA-në ku synohet përfundimi i luftës së Lindjes së Mesme.
Rënia e çmimit të karburanteve nxiti shpresë për përmirësim të presionit nga inflacioni që e ka kapluar ekonominë globale. Vlera e aksioneve në kompanin amë të “British Airways”, IAG, u rrit për 4,2 për qind në Londër, ndërsa kompania “United Airlines” shënoi ngritje për 7 për qind në Nju-Jork.



