Kryeministri belg ofron dorëheqjen pas bllokimit të negociatave për buxhetin

02 nëntor 2026 | 15:20

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, ia ka paraqitur dorëheqjen Mbretit Philippe të hënën, pasi koalicioni i tij pesëpartiak nuk ka arritur marrëveshje për buxhetin e vitit 2027. Megjithatë, monarku e ka shtyrë vendimin dhe ka njoftuar se do të zhvillojë konsultime me udhëheqësit e partive të koalicionit.

“Mbreti po e mban vendimin e tij në pritje dhe do të fillojë konsultimet me presidentët e partive të shumicës nesër“, ka njoftuar Pallati Mbretëror në një deklaratë të publikuar në platformën “X”.

De Wever është takuar me monarkun në Pallatin Mbretëror në Bruksel, në një takim që ka zgjatur më shumë se 90 minuta, në mes të tensioneve lidhur me përpjekjet për të adresuar deficitin buxhetor prej 10 miliardë eurosh (11 miliardë dollarësh), raportoi transmetuesi publik VRT, citon “Anadolu”.

Negociatat kanë ngecur prej javësh, ndërsa mosmarrëveshjet, sipas raportimeve, janë përqendruar te partia socialiste flamande Vooruit dhe Lëvizja Reformiste (MR), e qendrës së djathtë frankofone.

De Wever e kishte përjashtuar mundësinë që vendi të hynte në vitin e ri me një buxhet të përkohshëm, i cili do t’i mundësonte qeverisë të vazhdonte punën sipas kuadrit të shpenzimeve të vitit të kaluar.

Sipas sistemit kushtetues të Belgjikës, mbreti mund të refuzojë ta pranojë dorëheqjen e kryeministrit ose ta mbajë vendimin pezull, për t’u dhënë partnerëve të koalicionit më shumë kohë për të arritur marrëveshje.

Si alternativë, ai mund ta pranojë dorëheqjen, duke e lënë qeverinë në detyrë me kompetenca të kufizuara deri në arritjen e një marrëveshjeje të re politike.

Ngërçi i fundit vjen pas një krize të ngjashme në fund të vitit 2025, kur qeveria federale ishte përpjekur të identifikonte rreth 10 miliardë euro kursime.

Në atë kohë, De Wever kishte kërkuar nga mbreti një zgjatje prej 50 ditësh, në vend që të ofronte dorëheqjen.

Koalicioni kishte arritur përfundimisht një marrëveshje më 24 nëntor, duke siguruar kursime prej 9.2 miliardë eurosh.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
(Janar 1989) Unë nuk vura gjumë në sy deri në…