Sulmohet sistemi i ngrirjes në supermarketet e Europës, frigoriferët arrijnë deri në 50 gradë! Tonelata ushqime përfundojnë në mbeturina

02 nëntor 2026 | 23:01

Një valë sulmesh të dyshuara kibernetike ka vënë në alarm supermarketet në disa vende të Europës, duke shkaktuar ndërprerje të sistemeve të ftohjes dhe dëme të mëdha në produktet ushqimore. Sulmet janë raportuar në Belgjikë, Suedi, Estoni, Luksemburg dhe Irlandë, ku frigoriferët dhe ngrirësit e dyqaneve kanë pësuar rritje të menjëhershme të temperaturave, në disa raste deri në 50 gradë Celsius. Situata është e ngjashme me atë të regjistruar në Francë më 12 tetor, kur qindra supermarkete u përballën me probleme të ngjashme në sistemet e tyre të ftohjes.

Në Belgjikë, ndërhyrjet kanë prekur pika shitjeje të disa prej rrjeteve kryesore tregtare, përfshirë Delhaize, Carrefour, Spar dhe Intermarche. Sipas agjencisë Belga, probleme janë raportuar edhe në një dyqan të IKEA-s. Sulmet dyshohet se kanë ndodhur rreth mesnatës mes së dielës dhe së hënës, duke ndjekur të njëjtën mënyrë veprimi si në rastin e Francës.

Edhe në Suedi, rritja e menjëhershme e temperaturave ka shkaktuar dëme në produktet e ruajtura në ngrirës. Disa dyqane të rrjeteve ICA dhe Coop u mbyllën përkohësisht në orët e para të mëngjesit, në mënyrë që të përballonin situatën. Dennis Vidal, drejtues i një prej dyqaneve të prekura në jug të vendit, deklaroi për televizionin publik SVT se punonjësit po boshatisnin ngrirësit, pasi ushqimet ishin dëmtuar dhe nuk mund të shpëtoheshin. Ndërkohë, përfaqësuesi i grupit ICA, Gustaf Nilsson, konfirmoi se një numër i kufizuar dyqanesh ishte prekur nga një incident gjatë natës, i cili kishte cenuar sistemet e ftohjes dhe ngrirjes.

Raste të tjera janë raportuar në Estoni, Luksemburg dhe Irlandë. Sipas mediave europiane, në Estoni ndërhyrja në sistemin e kontrollit të një rrjeti supermarketesh bëri që temperatura e një ngrirësi të ngrihej në 50 gradë Celsius. Në Irlandë, probleme u raportuan edhe në sistemet e ftohjes së disa pikave të shitjes.

Si pasojë e këtyre incidenteve, disa supermarkete janë detyruar të largojnë nga raftet dhe të asgjësojnë sasi të mëdha produktesh të freskëta dhe të ngrira, për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të ftohjes. Në disa raste, dyqanet u mbyllën përkohësisht për të menaxhuar krizën dhe për të shmangur rrezikun për konsumatorët.

Megjithatë, shkaku i saktë i të gjitha incidenteve nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe hetimet duhet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për sulme të koordinuara. Episodet e fundit kanë rikthyer shqetësimin për cenueshmërinë e sistemeve të automatizuara që kontrollojnë pajisjet frigoriferike në rrjetet e mëdha tregtare.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Profili zyrtar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është riaktivizuar,…