Policia do t’i kthejë patentëshoferët e mbajtur mbi tetë ditë, por ndalesat për vozitje mbesin në fuqi

03 nëntor 2026 | 11:07

Policia e Kosovës ka njoftuar se do të nisë kthimin e patentë-shoferëve të marrë përkohësisht nga shoferët, në rastet kur ka kaluar afati ligjor prej tetë ditësh për mbajtjen e tyre.

Ky veprim vjen pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, P.A. nr. 29/2026, të 20 tetorit, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Megjithatë, Policia sqaron se ky vendim nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit dhe as nuk i shfuqizon masat e shqiptuara më parë.

Sipas Policisë, ndryshimi ka të bëjë vetëm me mbajtjen fizike të patentë-shoferëve, e cila, në bazë të nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe vendimit të Gjykatës Supreme, nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë.

Policia thekson se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton se shoferi ka të drejtë ta drejtojë automjetin gjatë kohës sa është në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit.

Ndërkaq, personat që drejtojnë automjetin pavarësisht se kanë në fuqi këtë masë, kryejnë kundërvajtje për të cilën parashihet gjobë prej 500 eurosh, ndalim i drejtimit të automjetit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim i përkohshëm i automjetit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në trafik dhe verifikimin e masave mbrojtëse, pikëve negative dhe kufizimeve të tjera ligjore përmes evidencave përkatëse.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, ka…