ZKA mban konferencën vjetore, Spanca: Auditimi duhet të sjellë ndryshime në menaxhimin e parasë publike
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka mbajtur Konferencën Vjetore me temën “Zhvillimi institucional dhe ndikimi i auditimit publik”, ku janë vlerësuar të arriturat, sfidat dhe objektivat e institucionit për të ardhmen.
Në konferencë, ku morën pjesë të gjithë punonjësit e ZKA-së, diskutimet u zhvilluan në dy panele, për strategjinë dhe zhvillimin institucional, si dhe për rezultatet dhe sfidat e sezonit të auditimit 2025/2026.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e hapjes theksoi se rëndësia e punës së ZKA-së nuk matet vetëm me numrin e auditimeve apo rekomandimeve, por mbi të gjitha me ndikimin dhe ndryshimet që ajo nxit në menaxhimin e parasë publike.
Ajo vlerësoi punën e përbashkët gjatë pesë vjetëve të fundit, duke theksuar se institucioni po hyn në një etapë të re të zhvillimit, me përvojë më të madhe, përgjegjësi më të larta dhe pritje më ambicioze.
“Dua të shikojmë përpara dhe të reflektojmë se si mund ta shndërrojmë përvojën në zhvillim, ekspertizën në cilësi dhe cilësinë në ndikim të prekshëm për institucionet publike dhe qytetarët”, deklaroi Spanca.
Ndërkaq, zëvendësauditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi zhvillimet dhe rezultatet kryesore të arritura nga institucioni gjatë vitit 2026.
Ai tha se ZKA-ja ka ndërtuar përvojë dhe ka zhvilluar kapacitete që kontribuojnë në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.
Gjatë paneleve u diskutua për ndikimin e auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve, realizimin e Planit Strategjik 2023-2026 dhe orientimet strategjike për periudhën 2026-2029. Po ashtu, u prezantuan zhvillimet në metodologjitë dhe manualet e auditimit, si dhe gjetjet dhe rekomandimet nga rishikimi kolegial i SIGMA-s.
Në kuadër të konferencës u zhvilluan edhe dy sesione interaktive, ku punonjësit shprehën pikëpamjet e tyre për vizionin e institucionit dhe sfidat me të cilat përballen në punë.
Me këtë rast, ZKA-ja ndau mirënjohje për punonjësit që kanë shënuar 10 dhe 20 vjet përvojë pune në institucion, për ata që janë pensionuar gjatë këtij viti, si dhe falënderoi ish-kolegët për kontributin e tyre.
Konferenca u përmbyll nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila falënderoi stafin për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin, duke ritheksuar angazhimin e saj për zhvillimin e kapaciteteve dhe krijimin e kushteve për avancimin e mëtejmë të institucionit.



