Pas 28 vjetësh udhëtim në këmbë nëpër botë, britaniku ribashkohet me nënën në shtëpi

03 nëntor 2026 | 12:38

Aventurieri britanik, Karl Bushby ka përfunduar udhëtimin e tij prej rreth 50 mijë kilometrash, nga Amerika e Jugut deri në qytetin Hull të Anglisë, duke u ribashkuar me nënën e tij, 28 vjet pasi ishte nisur në këtë aventurë.

Në nëntor të vitit 1998, atëherë 29-vjeçar dhe ish-parashutist, Bushby ishte nisur nga Punta Arenas në Kili, me synimin për t’u kthyer në shtëpi përmes një rruge të pandërprerë, pa përdorur mjete transporti për të përparuar në udhëtim.

Ai i kishte vendosur vetes dy rregulla: të mos kthehej në Britaninë e Madhe deri në përfundimin e udhëtimit dhe të mos përdorte transport për të përshkuar rrugën.

Gjatë këtyre 28 vjetëve, Bushby ka kaluar nëpër katër kontinente, ka përshkuar xhunglat e dendura të Darién Gap, ka kaluar ngushticën e ngrirë të Beringut dhe ka notuar për rreth 300 kilometra në Detin Kaspik, raporton “BBC”.

Në tetor të këtij viti, ai gjithashtu ka notuar përtej Kanalit Anglez.

Para mbërritjes në shtëpi, qytetarë të shumtë janë mbledhur në qendër të Hullit për ta mirëpritur, ndërsa ai ka përshkuar kilometrat e fundit drejt vendit ku e priste nëna e tij, Angela Bushby, në Sutton Park.

Në momentin e ribashkimit, ai është shprehur: “Është mirë të jem në shtëpi.”

Nëna e tij, të cilën nuk e kishte parë prej dhjetë vjetësh, e ka pritur me fjalët: “Ku ke qenë?”.

Ajo ka thënë se ishte e lumtur që i biri ishte kthyer, duke shtuar se ndiente lehtësim.

Gjatë një konference për media pas ribashkimit, Bushby ka konfirmuar se aventura e tij kishte përfunduar.

“Po i var çizmet në gozhdë”, ka thënë ai.

Rrugëtimi i tij nuk ka zgjatur 28 vjet vetëm për shkak të ecjes. Sipas Bushbyt, rreth 15 vjet i ka kaluar duke ecur, ndërsa pjesa tjetër është shënuar nga vështirësitë për sigurimin e vizave, kriza ekonomike globale e vitit 2007 dhe pandemia COVID-19.

Ai ka treguar se ishte nisur si udhëtar pa para, duke u mbështetur shpesh në ndihmën e njerëzve dhe, në disa raste, duke ngrënë edhe ushqime të hedhura anash rrugëve.

Më vonë, ai ka arritur të sigurojë sponsorë dhe një marrëveshje për botimin e librit të tij.

Të dielën, para mbërritjes në Hull, ai ishte pritur edhe nga djali i tij 36-vjeçar, Adam, mbesa 12-vjeçare, të cilën nuk e kishte takuar më parë, si dhe babai dhe vëllezërit e tij.

Pas përfundimit të aventurës, Bushby ka thënë se do t’i duhet kohë për t’u përshtatur me jetën e zakonshme.

Ai ka bërë të ditur se po punon në një dokumentar me regjisorin gjerman Werner Herzog, si dhe në librin e dytë për përvojat e tij gjatë udhëtimit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Liga e Kampionëve rikthehet sonte me ndeshjet e xhiros së…