Bisedimet e reja mes Rusisë, Ukrainës dhe ShBA-së zhvillohen më 10 dhe 11 nëntor
Rusia do të zhvillojë bisedime trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara në Abu Dabi, më 10 dhe 11 nëntor, ka konfirmuar të martën Kremlini.
Vladimir Medinsky, këshilltar i presidentit rus, Vladimir Putin, do të jetë kryenegociator i Moskës në këto bisedime. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference telefonike me gazetarët, raporton “Reuters”.
Negociatorët amerikanë kanë kërkuar përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të pestë. Bisedimet e fundit të paqes, të ndërmjetësuara nga ShBA-ja, janë zhvilluar në shkurt, para se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të nisnin luftën kundër Iranit.
I dërguari amerikan, Steve Witkoff, ka deklaruar të hënën se ShBA-ja do të mbledhë delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dabi javën e ardhshme, për të diskutuar marrëveshjet e sigurisë për periudhën e pasluftës dhe uljen e tensioneve.



