Identifikohen edhe tre të zhdukur nga Grupi i Intelektualëve, konfirmohet identiteti përmes ADN-së
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar identifikimin e Adem Ademit, Fatmir Fazliut dhe Ali Halitit, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe në prillin e vitit 1999.
Pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, janë pranuar raporte të reja të ADN-së, përmes të cilave është konfirmuar identiteti i tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka njoftuar se bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.
Sipas njoftimit të Kurtit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, tashmë ka informuar familjet për identifikimin e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare.
Ata u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe në prillin e vitit 1999 dhe u zhdukën me dhunë, ndërsa fati i tyre mbeti i pazbardhur për shumë vite.
Me rastin e konfirmimit të identitetit të tyre, Kurti u ka shprehur ngushëllime familjeve, duke ndarë dhimbjen për humbjen e të afërmve të tyre.
Kryeministri ka theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, krahas angazhimit për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.
Ai gjithashtu ka akuzuar Serbinë se vazhdon të mohojë dhe të fshehë krimet e luftës, duke mos hapur dokumentet dhe arkivat përkatëse dhe duke glorifikuar autorët e gjenocidit.



