Sulmohet BPB-ja në Prishtinë në mes të ditës, autori zhduket

04 nëntor 2026 | 08:30

Një grabitje e armatosur ka ndodhur në mes të ditës në një degë të Bankës për Biznes (BPB) në Prishtinë. Një person i maskuar ka hyrë në bankë, ka nxjerrë pistoletën dhe ia ka drejtuar njërës prej punonjëseve, duke i kërkuar t’ia dorëzonte paratë. Pak çaste më vonë, ai është larguar me një shumë parash, ndërsa Policia është vënë në kërkim të tij.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se grabitja ka ndodhur të martën, më 3 nëntor, rreth orës 12:46, në degën e BPB-së në rrugën “Agron Rrahmani”, pranë marketit “Maxi 24”, në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari kishte hyrë në bankë i veshur me xhaketë të zezë, pantallona të kaltra dhe maskë ngjyrë hiri, duke fshehur identitetin e tij.

Sapo ka hyrë brenda, ai ka nxjerrë një pistoletë të zezë, e ka bërë gati dhe ia ka drejtuar njërës prej punonjëseve, duke kërkuar para.

Në atë moment, në ambientet e bankës ndodheshin tri punonjëse dhe një klient.

Nën kërcënimin e armës, grabitësi ka marrë një shumë parash, vlera e saktë e së cilës ende nuk është konfirmuar, dhe është larguar në drejtim të panjohur.

Grabitja mobilizon Policinë e Kryeqytetit

Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë mbërritur patrullat e Stacionit Policor, të cilat kanë takuar personat që ndodheshin në bankë gjatë grabitjes.

Në operacion janë përfshirë edhe hetuesit e stacionit, Hetimet Rajonale dhe Forenzika Rajonale, ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe eprorët policor.

Hetuesit kanë nisur veprimet për identifikimin dhe lokalizimin e personit që dyshohet se kreu grabitjen.

Deri më tani, i dyshuari mbetet i paidentifikuar, ndërsa nuk ka informacion të konfirmuar për shumën e parave që janë marrë nga banka.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Grabitja”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Çdo produkt i ri teknologjik është krijuar për të na…